Furra “Kameri” në Bujanoc, simbol i traditës dhe respektit për 45 vjet (foto)

“Pjekja e bukës dhe prodhimeve tjera nga mielli është zeje që e kemi trashëguar nga babai dhe besoj se do ta trashëgojmë edhe për shumë breza”, kështu shprehet për portalin informativ Titulli.com, Muhamed Gegolaj, pronar i furrës “Kameri” në qendër të Bujanocit. Furra e tij...

1970 1

“Pjekja e bukës dhe prodhimeve tjera nga mielli është zeje që e kemi trashëguar nga babai dhe besoj se do ta trashëgojmë edhe për shumë breza”, kështu shprehet për portalin informativ Titulli.com, Muhamed Gegolaj, pronar i furrës “Kameri” në qendër të Bujanocit.

Furra e tij është një biznes familjar me traditë në Bujanoc, pasi është hapur para 45 viteve, respektivisht në marsin e vitit të largët 1970 nga babai i Muhamedit, Kamer Gegolaj, një burrë i zoti dhe i respektuar nga bujanocasit për shërbimet dhe sjelljet e tij.

Pas pensionimit të Kamer Gegolajt në vitin 2003, traditën e kanë vazhduar tre djemtë e tij, që me punë të vazhdueshme, angazhim maksimal e me korrektësi kanë avancuar dhe tani posedojnë tre furra në Bujanoc dhe një në Vranjë.

“Të gjithë mendojnë se puna jonë është e lehtë, por nuk mund të përfitosh e të ecësh përpara pa punë të vazhdueshme dhe korrekte me klientët”, vazhdon Muhamed Gegolaj, duke shtuar se biznesin familjar e menaxhon me familjen e ngushtë të tij, dhe ka të punësuar tre punëtorë.

“Puna është duke shkuar mirë, edhe pse po vërehet kriza ekonomike dhe migrimi i popullatës. Disa njerëz që i kam njohur në qytet më nuk i shoh. Kriza vërehet edhe tek klientët tanë, siç janë restorantet dhe qebaptoret që marrin bukën tek ne. Sa i përket raportit me myshterinjtë, me qytetarët e Bujanocit gjithmonë kemi kaluar mirë, kemi gjetur gjuhë të përbashkët, na njohin e na respektojnë, sikur edhe ne ata”, thekson Gegolaj.

Në sezonin e verës kur vijnë mërgimtarët dhe është sezoni i dasmave edhe furra “Kameri” ka më tepër punë, thotë Gegolaj, furra e të cilit i ofron bujanocasve bukë, byrekë, kifle të ndryshme, pica, e gjithashtu edhe bukë të thekrës apo bukë integrale.

Ndërsa sa i përket çmimeve ai thekson “Mielli nuk është shtrenjtë, por lëndët tjera siç janë fara e bukës, vaji, margarini, eurokremi e tjera. Çmimet e tyre përcjellin euron, ndërsa çmimi i bukës nuk ka lëvizur që 7–8 vite”, thotë pronari i furrës “Kameri”.

Muhamed Gegolaj thotë se me taksa tatimore është i kënaqur, pasi sipas tij, nuk janë aq të mëdha, por problemi është kur nuk ka punë të mjaftueshme.

Ai edhe në të ardhmen synon të vazhdojë dhe të avancojë me këtë biznes familjar, pasi traditën 45 vjeçare me furrë do ta vazhdojnë edhe djemtë e tij, të cilët tanimë janë inkuadruar në punë dhe punojnë me zell.

Gegolaj në fund thotë se deri më tani nuk ka konkurruar asnjëherë për ndonjë donacion, por në të ardhmen e ka në plan të konkurrojë për të avancuar biznesin.

 

Nje lajm tjeter gjindet ketu 

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article

1 comment

  1. Vlera e muajit Muharrem dhe agjërimi i ditës së Ashurës

    […] Nje lajm tjeter gjindet ketu Furra Kameri ne […]

Comments are closed.