Mazllum Saneja: Nganjëherë në mërgim e pi edhe lotin tim

“Mjerisht, asnjë institucion i kulturës, as në Kosovë e as në Shqipëri, as më kanë pritur, as më kanë pyetur asnjëherë. Sa herë vij në pushime verore në Kosovë, në shtëpi, në vendlindjen time në Gjakovë, asnjëherë nuk më kanë thirrur në ndonjë takim e...

703 0

“Mjerisht, asnjë institucion i kulturës, as në Kosovë e as në Shqipëri, as më kanë pritur, as më kanë pyetur asnjëherë. Sa herë vij në pushime verore në Kosovë, në shtëpi, në vendlindjen time në Gjakovë, asnjëherë nuk më kanë thirrur në ndonjë takim e të më pyesin se çfarë bën Mazllum Saneja, a ke ndonjë plan, ndonjë projekt…Nuk i intereson askujt këtu. Kjo dëshmon për një shthurje për hapësirën tonë kulturore, sepse nuk interesohen për vlerat e mirëfillta. Kjo është e tmerrshme.”

Intervistoi: Vera Pelaj

Saneja në botën letrare njihet poet, eseist dhe më shumë si përkthyes i letërsisë shqipe në polonisht dhe anasjelltas. Ai prej më shumë se 40 viteve jeton herë në Poloni e herë në Kosovës, ndërsa, përveç përkthimeve, ka të botuara disa vepra.

Jeni përkthyes në të dy gjuhët, nga gjuha polake në gjuhën shqipe dhe anasjalltas! Sa ia vlen sot të përkthehet kjo letërsi?
Përkthimi letrar, në përgjithësi është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar. Kam zënë të mendohem gjithnjë e më tepër se përkthimi është një punë deri diku e pafalënderueshme, por megjithatë këtë e konsideroj si detyrë shtëpiake dhe detyrë kombëtare. Duke e përkthyer letërsinë shqipe, e përkthej shpirtin shqiptar, e përkthej qenien tonë shqiptare dhe kështu e afirmoj dhe e propagandoj shpirtin dhe të qenit e popullit tim. Edhe letërsinë polake e përkthej në gjuhën shqipe dhe në këtë rrugë jam nis që moti, tashmë 6vjet me radhë.

Cilat janë kriteret e juaja për përzgjedhjen e librave për përkthim?
Çdo përkthim është në njëfarë mënyre pasqyrë e autorit. Çdo vepër është vepër autoriale. P.sh kur kam bërë antologjinë e poezisë polake në gjuhën shqipe, i kam zgjedh 30 poetë polak, sipas shijes sime. Poashtu, kam vepruar edhe në antologjinë time të poezisë shqipe në polonisht, e titulluar “Nuk është vonë për dashuri”. Këtë e kam bërë sipas kritereve dhe shijes, që i kam lexuar të gjithë autorët. Natyrisht nuk mund të them se nuk ka të meta. Çdo antologji është në njëfarë mënyre, pasqyrë e autorit që i përkthen. Natyrisht, unë udhëhiqem gjithnjë me kriteret. Më parë i lexoj nga disa herë autorët dhe tek atëherë vij në përfundim se ky apo ai autor, ia vlen të prezantohet në një letërsi tjetër?

Cilët autorë i keni përkthyer deri më tani, në të dy gjuhët?
Autorët shqiptarë që i kam përkthyer deri më tani janë Ali Podrimja, Eqrem Basha, librat e të cilëve kanë dalur tashmë në tregjet kulturore të Polonisë. Pastaj kam përkthyer dhe pres dita ditës botimin e veprës së Visar Zhitit, Fatos Arapit, Mihail Nas Hanxharit, Agim Gjakovës. Kështu kam e bërë edhe prezantimin e letërsisë polake, në gjuhën shqipe. Një nga poetët që e kam përkthyer është Çesllav Milloshi, nobelisti i njohur polak, i cili është botuar në Shtëpinë Botuese “Ideart” dhe “Poeteka” në Tiranë, pastaj kam bërë përkthimin e veprave të Tadeush Ruzhevicit, Papa Gjon Palit të Dytë, Karol Vojtillës, Stanisllav Jezhi Lecit, Visllava Shimborskes, Zbignjev Herbertit, Sllavomir Mrozhekut, Eva Lipskes, Adam Zagajevskit, Jan Michal Stuchlit etj.

Ju disa nga këta autorë të mëdhenj polak, i keni njohur edhe personalisht!
Po. Kam njohur, para se gjithash Papa Gjon Palin e Dytë, me të cilin kam pasur disa takime. Kam qenë në audiencë private te Ai, në Vatikan. Më 1998 kur kam përkthyer librat e tij “Poezi të zgjedhura”, pastaj kam njohur Çesllav Milloshin, kam bërë interviste me të, Eva Lipsken, nuk duhet të harruar faktin se Eva Lipska, vitin e kaluar ishte laureate e çmimit prestigjioz kosovar “Kepi i shpresës së mirë”, pastaj ishte edhe laureate e çmimit “Ditët e Naimit” në Tetovë. Ajo është një nobeliste e ardhshme.

Sa vlerësohet letërsia shqipe në përgjithësi, në Poloni?
Me përjashtim të Ismail Kadaresë, që ka ardhur nga gjuha frënge dhe veprave të Sterjo Spasses, të cilat janë përkthyer nga rusishtja. Unë kujtoj se kam bërë një punë gjigante në përkthimin e letërsisë shqipe, sepse nuk është lehtë t’ia kushtosh tërë jetën një letërsie. Tashmë Ali Podrimja, Eqrem Basha dhe Fatos Arapi, mësohen në Universitetin e Polonisë, si shkrimtarë të pjesës së letërsisë botërore. Studentët, mësojnë sikur ne që mësojmë Heminguejin etj…

Domethënë vlerësohet letërsia shqipe!
Me siguri, se temat që i kap dhe shtron ne poezi, Ali Podrimja, janë tema që kanë motiv tabanin kombëtar dhe janë tema të universumit, që i takojnë edhe popullit polak sepse dhe populli polak, ka kaluar nëpër një martirizim shekullor çfarë ka kaluar dhe populli shqiptar.

Ju keni përgatitur edhe fjalorin polonisht – shqip.
Po. Fjalori polonisht – shqip, të cilin e kam punuar 7 vjet me radhë, kap 10 mijë fjalë, të cilit i paraprijnë një gramatikë e shkurtër e shqipes dhe polonishtes, me zanoret, bashkëtingëlloret… dhe është një fjalor që do t’ju hyjë në punë shtresave më intelektuale dhe shtresave më të gjera shoqërore si p.sh, turistëve që shtegtojnë nëpër Poloni dhe turistëve polak nëpër Shqipëri. Kjo është një vepër me të vërtetë serioze, që kam bërë deri më sot. Ka qenë punë e rëndë dhe e ndërlikuar, sepse të bëhet një fjalor i tillë, duhet të jesh shumë i përgatitur që të mund ta bësh një fjalor të tillë.

Shteti polak i ka realizuar dy filma dokumentarë për juve. Po shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, ju kanë përkrahur në punën tuaj?
Më vjen shumë keq. Një pyetje të tillë më ka bërë dhe ministri i Kulturës në Poloni. Mjerisht, asnjë institucion i kulturës as në Kosovë as në Shqipëri, as nuk më kanë pritur, as nuk më kanë pyetur asnjëherë. Sa herë që vij në vakanca verore në Kosovë, në shtëpi, në vendlindjen time në Gjakovë, asnjëherë nuk më kanë thirrur në ndonjë takim e të më pyesin çfarë bërë Mazllum Saneja, a ke ndonjë plan, ndonjë projekt…Nuk i intereson askujt këtu. Kjo dëshmon për një shthurje për hapësirën tonë kulturore sepse nuk interesohen për vlerat e mirëfillta. Kjo është e tmerrshme. Kjo është një sinjal alarmi dhe paralajmërim për një rënie totale të sistemit të vlerave me sublime.

Po sikur t’ju pyesnin a keni ndonjë projekt, do të ishit të gatshëm të iu ofroni?
Po, me siguri. Këtu duhet ta luaj një rol të madh Televizioni i Kosovës dhe Televizioni Shqiptar, ashtu siç ka bërë Televizioni Polak. Televizioni Polak, bëri dy filma dokumentar për mua, madje më quajnë dhe shkrimtar polak.

Si ndjeheni ju kur në Poloni kur ju quajnë shkrimtar polak?
Para së gjithash, unë jam shkrimtar shqiptar. Nuk i përkas vetëm regjionit gjuhësor shqiptar. Atdheu i poetëve, nuk është as Kosova as Polonia. Atdheu i poetëve është arti. Unë nuk i përkas vetëm gjuhës shqipe. I takoj edhe gjuhës polake, mund t’i takoj edhe gjuhës gjermane, për këtë dëshmojnë veprat e mia.

Jeni anëtar i PEN Klubit në Poloni dhe anëtar i Shoqatës së Përkthyesve të Kulturës Evropiane në Varshavë. Si organizohet jeta letrare atje?
Në Poloni është një jetë e begatë letrare. Brenda ditës, vetëm në Varshavë, ndodhin 30 deri në 40 manifestime kulturore – letrare. P.sh, vjet për vjet mbahen takimet letrare me karakter kombëtar, çfarë është “ Vjeshta poetike e Varshavës”, “Vjeshta muzikore e Varshavës” dhe aty unë jam vazhdimisht mysafir dhe kam tentuar të ftohen shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Dhe këtë punë do ta bëjë me siguri. Jam përpjekur disa herë t’i vëllazëroj qytetet në Kosovë p.sh qytetin e Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës, me ndonjë qytet në Poloni. Të zhvillohet shkëmbimi kulturor, kështu do të na njohin më mire popujt përmes kulturës, artit jo përmes politikës.

Në parathënien e librit tuaj të fundit “Letra e Evës”, kritiku A. Zaniewski, shkruan se “duke i rrëfyer Evës, poeti shfryn tërë dufin e mllefin, tërë vuajtjen e dhembjen, sepse vetëm asaj i rrëfen sekretet e shpirtit të vet të sfilitur…”
“Letra e Evës” bart një rrëfim që shpreh sekretet e shpirtit dhe të jetës që i kam besuar një krijese, e që në këtë rast është Eva. Është raporti karshi botës që më rrethon, në emigracion.

Ju e keni botuar edhe librin “Leximi i Vetmisë”. Çfarë përmban ky libër?
Libri “Leximi i vetmisë”, është si një testament i imi, si një dhiatë e imja. Ky libër, të cilit i paraprijnë poezitë e mia, pastaj fletët e ditarit janë të shkëputura ashtu sikurse është e shkëputur jeta ime, shpirti im,Këtë libër ia kam kushtuar prindërve të mi, vëllezërve e motrave, të vdekurve dhe të gjallëve të mi. I kam kushtuar edhe Polonisë, aty ka dhe fakte polake shumë. Ky libër, bën fjalë edhe për shëmbëlltyrën e Nënës Terezë, për figurën e ndritshme të Atenagorës, për Gjon Palin e Dytë. Për një tmerr që ka ndodhur në hapësirën tonë, për kalorësit apokaliptik, që kanë kaluar këndej pari, e që ne shqiptarët duhet të bëjmë diçka me lirinë tonë të brishtë sepse gjakun tonë të derdhur, disa njerëz po e nëpërkëmbin. Kjo është e tmerrshme. Mua më dhimbset ky popull . Nganjëherë mendoj pse ne nuk e duam librin?! Nuk i qasemi librit. I shoh njerëzit në Poloni në autobus, në metro, në tramvaj…të gjithë me libër në dorë, lexojnë. Ai është popull me kulturë. Në Kosovë, ende nuk më ka rastis të shoh ndonjë njeri me libër në dorë në autobus, në tren…kjo më dhemb shumë! Përse ndodh kështu?

Cilët autorë shqiptarë i ke në radhë për përkthim?
Kam menduar gjithnjë Xhevahir Spahiun ta përkthej më vonë, e gjithnjë më bren ndërgjegjja që nuk e kam përkthyer deri më sot, Azem Shkrelin. Një poet i rrallë, një poet modern shqiptar. Shumë më pëlqen poezia e tij dhe arti i të shkruarit të tij.

Keni ndonjë porosi për lexuesin shqiptarë?
Unë kudo që jam në botë, në Poloni, unë e mbart Kosovën në shpirt. Kosova është atdheu im. Njeriu ka vetëm një atdhe. Ka ndodh shpesh qëkur jam në vetminë time, duke ngrënë bukë e djathë e çaj, më shkojnë lotët. Nganjëherë i pijë edhe lotët e mi në mërgim. Mërgimi është i trishtë. Nuk ka më rëndë, se sa vetmia e mërgimit. Megjithatë, atje kam arritur ta krijoj emrin tim dhe personalitetin tim prej poeti dhe përkthyesi.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article