Përpjekjet e Kosovës për një politikë të jashtme të dimensioneve të saja

Pesha dhe forca që ka një vend, qoftë në aspektin e brendshëm e qoftë në aspektin e jashtëm, është përcaktues i vendosjes së kornizave dhe prioriteteve të politikës së jashtme të saj. Republika e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë së saj, me 17 shkurt 2008...

1013 0

Pesha dhe forca që ka një vend, qoftë në aspektin e brendshëm e qoftë në aspektin e jashtëm, është përcaktues i vendosjes së kornizave dhe prioriteteve të politikës së jashtme të saj. Republika e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë së saj, me 17 shkurt 2008 e deri më sot, vazhdon ta ketë sfidë procesin e njohjes së shtetësisë nga ana e atyre vendeve që nuk e kanë njohur ende, e deri në anëtarësimin e plotë të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Që të gjitha sfidat tjera janë dhe mund të jenë më elastike brenda kornizës dhe prioriteteve të politikës së jashtme.

Gjithsesi, përpjekja për të formuar një politikë të jashtme që i përshtatet dimensioneve të Kosovës, duhet dhe do të jetë në agjendën e secilës qeveri të vendit. Nga teoria e dimë që shtetet dhe popujt, që zotërojnë ndjenjën e të pasurit të një identiteti në familjen globale të shteteve dhe popujve, e i cili shtet apo popull e ka një strukturë të stabilizuar social, politike e ekonomike, e ka më të lehtë mundësin për të realizuar strategji zhvillimore të politikës së jashtme. Kosova që sapo ka bërë një qeveri, pas një procesi të stërzgjatur prej mbajtjes së zgjedhjeve, nuk do ta ketë të lehtë që të vendos edhe aq shumë prioritete të reja të politikës së jashtme të saj.

Siç e kemi thënë edhe në vështrime tjera, shteti i Kosovës duke i parë të gjitha mundësit e veta deri më tani, ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë, me një numër të pranuar të ambasadave e konsullatave në vende të ndryshme të globit. Shtrirja gjeografike e tyre është optimale, ku këtu janë: 23 misione diplomatike e ambasada, gjashtë konsullata dhe 14 seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 23 shtete tjera jo-rezidente. Raporte të ndryshme bilaterale e multilaterale. Kjo shtrirje gjeografike e diplomacisë së vendit tonë, si dhe angazhimi jo i vogël i diplomacisë digjitale, pa mëdyshje mund të konsiderohet kapital i mirë i diplomacisë së vendit tonë për hapa të mëtutjeshëm.

Në një shkrim autorial Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi na ka lënë të kuptojmë për një tentim të tij, duke përmendur disa faktor, që ai edhe mund ti konsideroj si prioritete të reja të dikasterit të tij. Ndër të tjera ai thotë se ka pranuar detyrën e shefit të diplomacisë së Kosovës ngase “ka disa prioritete po aq të rëndësishme të politikës së jashtme që duhet të trajtohen për të mundësuar që Kosova të zërë vendin që i takon në komunitetin e vendeve evropiane.”

Pavarësisht faktit që ky është vetëm një shkrim autorial, në te duken se janë shënuar disa vija që janë konsideruar si prioritete të reja e që do të ndiqen nga autori i shkrimit i cili njëherit, drejton diplomacinë e vendit tonë.

Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropianë është përmendur si komponenti më i rëndësishëm i reformave në shtetit tonë, siç thuhet “reformave të brendshme dhe të jashtme”. Konsideroj që reformat e brendshme mund të determinojnë reflektimin e shtetit të Kosovës në politikat e jashtme, ndërsa se për çfarë reformash të jashtme bëhet fjalë, këtë nuk e di. Bisedimet dhe Marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk kanë qenë punë e Ministrisë së Jashtme, ngase për këtë detyrë Qeveria e vendit tonë ka angazhuar zëvendëskryeministër dhe tani ministër të dialogut me fqinjin verior të Kosovës. Bisedimet e Kosovës me ish-armiqtë (siç shprehet Ministri Thaçi) pra Serbinë, kryesisht kanë qenë më shumë prioritet i diplomacisë Evropiane sesa i diplomacisë së vendit tonë. Andaj, këtë gjë e dalloj fortë nga agjenda shtetërore e diplomatike e Republikës së Kosovës.

Pika tjetër e përmendur si prioritare për Kosovën nga ana e shefit të diplomacisë kosovare është edhe krijimi i Forcave të Armatosura të vendit. Nisja e lidhjeve të para formale juridike ndërmjet Kosovës dhe NATO-së, me të drejtë mund të konsiderohet si prioritet me rëndësi për vendin, ku kjo gjë duhet të jetë edhe në agjenda ditore nga të gjithë aktorët vendimmarrës në vend.

Kosovës nuk i është dashur krijimi i një të ashtu prezantuare si Gjykata Speciale, dhe se krijimi i saj, prapë nuk mund të konsiderohet pjesë e prioriteteve të reja shtetërore në politikën e jashtme. Krijimi i Gjykatës Speciale është imponim dhe detyrim i jashtëm për vendin tonë. Për këtë, pa tjetër duhet thënë, se krijimi i kësaj Gjykate ofendon drejtësinë ndërkombëtare, por edhe vendore. Me krijimin e kësaj Gjykate, mendimi im i kamotshëm do të jetësohet, e ky mendim ishte se, Tribunali ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi do të mbahet mend në histori si vendi ku drejtësia është konvertuar në cirk pa shije.

Nga të gjitha pikat e përmendura në shkrimin autorial të shefit të diplomacisë kosovare, e konsideroj shenjë në pikë, procedimin për aplikim të anëtarësimit në Këshillin e Europës. Mendoj që të gjithë mekanizmat vendosës në Republikën e Kosovë, pra nga Zyra e Presidencës e deri tek zyrtari më i vogël në kuadër të diplomacisë së shtetit, duhet të angazhohen për këtë synim.

Krejt në fund, por jo më pak e rëndësishme, prioritet me rëndësi duhet të jetë që Ministria e Jashtme e Kosovës të filloj të kërkojë llogari nga diplomatët e saj, në lidhje me punën e tyre në drejtim të lobimit për investimet e huaja në vendin tonë. Siç e thamë edhe në fillim, çdo shtet brenda kapacitetit të tij, përcakton agjendat dhe prioritetet në politikën e jashtme. Republikës së Kosovës i duhet një strategji diplomatike për dimensionet e saja, dhe pa dashur të imponohet si e barabartë pa pasur aftësi të jetë e tillë.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article