Një vizitë për të mos humbur Europën (Njëri-tjetrin e kemi humbur)

Vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në Serbi, (Enver Hoxha ka vizituar më parë Jugosllavinë), nuk ia doli të ishte një nevojë e shqiptarëve dhe e serbëve. Çdo vizitë e një niveli të tillë, realizohet kur mes dy vendeve ekziston një klimë besimi...

1121 0

Vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në Serbi, (Enver Hoxha ka vizituar më parë Jugosllavinë), nuk ia doli të ishte një nevojë e shqiptarëve dhe e serbëve. Çdo vizitë e një niveli të tillë, realizohet kur mes dy vendeve ekziston një klimë besimi reciproke dhe ka një zhvillim pozitiv, i cili vlen të institucionalizohet me një vizitë të nivelit të lartë, që ruan standartin e arritur.

Raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë, jo vetëm që nuk janë të mira, por për herë të parë, ne kemi një acarim direkt të raporteve mes dy vendeve. Konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve është historik, por konflikti mes Shqipërisë dhe Serbisë, ka qenë gjithnjë i fshehur pas Kosovës. Për herë të parë ballafaqimi mes Shqipërisë dhe Serbisë po bëhet direkt, tani që po përgatitet vizita e nivelit të lartë mes dy vendeve. Dhe është një bilanc i ndërsjelltë negativ. Jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët po ballafaqohen me një armiqësi, të cilën nuk e kishin menduar më parë. Indiferentizimi i shqiptarëve të Shqipërisë ndaj Serbisë nuk është më i tillë dhe po ashtu, legjenda se në Beograd e kanë inatin me Kosovën dhe jo me Shqipërinë, ka rënë.

Pra, pikërisht provokimi i raporteve direkte mes Shqipërisë dhe Serbisë, në të vërtetë shfaqi anën reale, të errët, në raportet mes dy vendeve.

Në këto kushte, për të ecur përpara duhet të udhëhiqesh nga një interes madhor dhe duhet të jesh me duar të lira në vendin tënd.

Në këtë pikë, Edi Rama është disa hapa para homologut të vet, Vuçiç.

E para, në Shqipëri nuk ka ndonjë faktor politik, ekonomik apo elektoral që t’ia kushtëzojë atij vizitën. Në Shqipëri, edhe opozita që i thotë shtyje, ose mos ik fare, nuk e ka hallin se cënohet ndonjë gjë shqiptare, por se mos kryeministri fiton pikë në perëndim dhe bëhet më i vështirë për ta, për ta mundur.

Së dyti, Rama e ndërmerr këtë hap për të forcuar imazhin e tij si kryeministër mendjehapur dhe bashkëpunues me perëndimin. Dhe në këtë pikë ai është i pakonkurrueshëm, pasi e ka objektiv personal këtë imazh.

E tëra çka është realisht e rëndësishme, është se Rama vërtetë nuk është një lider nacionalist dhe s’ka pasur kurrë gjurmë të tillë as në të shkuarën. Madje, ai vjen nga një e shkuar gjysmë anarkiste- liberale dhe nga një bezdi patologjike për “patriotizmin folklorik”.

Vuçiç është në situatë shumë më të vështirë. Ai ka brenda vendit, madje brenda partisë së tij, anti-shqiptarët më të mëdhenj të Ballkanit, të cilët nuk kanë kohë t’i mbushin mendjen vetes, që edhe shqiptarët janë popull normal. Kanë një jetë të tërë të rroitur, me idenë se aty poshtë tyre është një popull primitiv, që ata duhet ta nënshtrojnë. Tani e kanë të vështirë të zgjohen nga gënjeshtrat e tyre dhe të zënë të besojnë se ai është një komb europian, që i ka mundur këtë shekull dhe që mund t’i mundë përsëri në rrugën drejtë Perëndimit. Kjo është për ta një katastrofë psikologjike, një goditje celebrale, të cilën presidenti Nikoliç për shembull, nuk e përballoi dot dhe shmangu takimin.

Në Serbi anti-shqiptarët janë faktor i rëndësishëm politik dhe ekonomik, dhe nuk janë analistë televizionesh e gazetash që bëjnë llogje dhe thonë batuta. Për këtë arsye, Vuçiç e ka të vështirë vizitën. Së pari, si betejë me të vetët.

Së dyti, presioni europian nuk funksionon njëlloj në Serbi dhe në Shqipëri. Në Shqipëri, presioni i Perëndimit është si urdhër, në Serbi është si dënim. Serbët janë kombi i vetëm i Ballkanit i bombarduar nga Perëndimi vetëm 15 vite më parë. NATO, ku ne jemi anëtarë, është ende armiku i tyre dhe rruga e tyre drejt Perëndimit nuk është ende një prioritet, por një taktikë. Ata ende nuk e kanë ndarë mendjen nga do t’ia mbajnë dhe fakti që këtë radhë funksionoi presioni i Brukselit dhe i kancelares Merkel për t’u takuar me Ramën, funksionoi vetëm për një arsye. Ata nuk durojnë dot që një shqiptar të bëhet më i preferuar se një serb për Perëndimin. Kaq u mjafton, që ta gëlltisin urdhërin e Merkelit dhe të Brukselit dhe ta presin Ramën me buzë të shtrënguar, se mos puthen vërtetë.

Së treti, Vuçiç ndryshe nga Rama ka qenë një nacionalist i tërbuar. Ai ka qenë zëdhënës i partisë së Sheshelit, që dje doli nga burgu në Hagë ku vuante dënimin për krime lufte. Është liruar për arsye shëndetësore, edhe pse i dënuar. Ai e rriti Vuçiç me deklarata të tipit “për një serb të vrarë, vrasim 100 myslimanë” që thuheshin rëndom në vitin 1995, në vitet e çmendurisë serbe në Ballkan. Sado kthesë të fortë që ka marrë Vuçiç drejt europianizimit, e shkuara e tij është një pjesë e vërtetë e tij dhe ai nuk ndihet mirë kur aktron gjatë. Mjafton ta ngacmosh pak në të shkuarën e tij dhe ai kthehet në identitet. Për këtë arsye, serbët janë në një hall të vërtetë nga një vizitë që as e duan, as e kundërshtojnë dot, dhe as e gëlltitin dot. Gjithçka po e bëjnë të mos duken më të keq se shqiptarët. Po e bëjnë, jo se janë të bindur se vlen të duhemi, por se janë në hall se nuk ia vlen të humbasin.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article