Fevziu: Ja pse u “ftoha” me Berishën

Për moderatorin e “Opinion” Blendi Fevziu, është ngritur një thashethemnajë e tërë poshtë e përpjetë, para dhe pas zgjedhjeve. Duke qenë se ka një eksperiencë të gjatë moderimi, të gjithë fillimisht menduan se ai do t’i merrte gjithë politikanët. Por ndodhi e papritura: nuk arriti...

704 0

Për moderatorin e “Opinion” Blendi Fevziu, është ngritur një thashethemnajë e tërë poshtë e përpjetë, para dhe pas zgjedhjeve. Duke qenë se ka një eksperiencë të gjatë moderimi, të gjithë fillimisht menduan se ai do t’i merrte gjithë politikanët. Por ndodhi e papritura: nuk arriti të realizonte asnjë debat PD-PS serioz, të themi në një pikpamje. Grida Duma dhe Preç Zogaj u bënë përfaqësues të përhershëm të maxhorancës, ndërkohë përfaqësuesit e opozitës, ndërroheshin hera herës. Por, gjëja më e rëndësishme që ra në sy ishte: Mungesa e Berishës. Në këtë intervistë për shqiptarja.com, Fevziu sqaron raportin e tij të munguar me Berishën, me ndërprerje telefonatash që nga janari i këtij viti; darkën e përfolur me Ramën; sherrin personal e institucional me Majlinda Bregun, por edhe nxehjen e tij tej kufirit të një moderatori me Artan Lamen. Nëse Blendi është treguar i sinqertë, këto janë disa prej të vërtetave që ne kemi parë në publik.

Si një moderator disa vjeçar i fushatave elektorale, a mund të jepni pershtypjet tuaja të kesaj fushate?

Në gjykimin tim kjo ishte fushata më monotone dhe më pa thelb që unë kam ndjekur këto 23 vjet. Jam në media që në zgjedhjet e para pluraliste shqiptare, që në 31 Mars 1991 dhe gjithnjë ato kanë pasur një kauzë ose disa teza. Kjo ishte fushata e parë ku me përjashtim të një debati (edhe ai i paartikuluar mirë për taksën e sheshtë apo progresive) s’pati asgjë tjetër thelbësore. Mazhoranca ju shmang llogaridhënies për 4 vitet e mandatit të saj dhe tentoi të ngrejë një fushatë të mbështetur tek premtimet për 4 vitet e ardhshëm. Opozita u mjaftua me slloganin e largimit të Berishës. Nuk pati as ballafaqime të mirëfillta; as teza pro dhe kundër. Dhe e fundit, kjo ishte fushata me mungesë të theksuar të parimeve morale. Opozita e rrënoi moralin e saj kur u bashkua me LSI, një pjesë e qeverisjes 4 vjeçare; mazhoranca e rrënoi moralin e saj kur qëndroi ende në këmbë 2 muaj me votat e 3 ish-socialistëve të pakënaqur. Futja e tyre në listën e PD ishte po kaq problematike. Në anën mediatike, kjo ishte një fushatë e keqe. Por në këtë rast përgjegjësia më shumë se sa e politikës, është e jona, pra e vetë mediave. Nuk duhej pranuar më standarti i kasetave; as i regjisë, as i imponimit nga zëdhënësat. Ne kryesisht e pranuam dhe kjo qe humbja jonë e madhe. Të humburit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve qenë mediat!

Të gjithë e kemi dëgjuar dhe flitet si legjendë urbane se kryeministri Berisha nuk erdhi në emisionin tuaj pasi është përgjuar një bisedë e juaja me Saimir Tahirin. Ju i keni kërkuar të vijë në emision. Ai ju ka kundërshtuar duke ju thënë se vetë ti, nuk e lejon që ai (Sajmiri) të përmendë fëmijët e kryeministrit. Dhe ju i keni thënë: “eja thuaj çfarë të duash për kë të duash”. Pas kësaj bisede, Berisha ju ka refuzuar. Eshtë e vërtetë?

Nuk e kam dëgjuar këtë gjë, ose më saktë, kam dëgjuar aq shumë gjëra sa më vjen të qesh me secilën prej tyre. Nuk besoj që kjo të jetë e vërtetë, sepse deri më sot, asnjë politikan s’më ka thene: ti s’më lë të them këtë apo atë gjë! Gjithsecili ka ardhur dhe ka thënë argumentat e tij. E dyta, unë çdo njeriu që ka ardhur në emision këto 16 vjet i kam thënë: thuaj çfarë të duash. Besoj se këtë gjë ju kam thënë edhe ju sa herë keni qenë në studio. Madje ju kam thënë mund të thoni çdo gjë që mendoni edhe për mua personalisht. Madje emisioni nuk ka lidhje as me raportet personale. Plot njerëz që më kanë sulmuar edhe personalisht, kanë qenë të ftuar në emision. Studio s’ka të bëjë me raportet personale. Njerëzit janë aty sepse i duhen emisionit atë moment, ose s’janë sepse nuk i duhen. Ndaj s’besoj se ka pasur nevojë për kaq xhalo, përgjim, biseda të fshehta a ku di unë, për diçka që e dinë dhe prej vitesh e aplikojnë të gjithë: studio është e hapur dhe gjithsecili artikulon aty tezat e tij. Në fund është publiku që vendos!

Atëherë, cila është arsyeja që Berisha nuk u duk në studion tënde, (ishte si në shtëpi për shumë kohë)?

Përgjigjen më të mirë se përse Kryeministri nuk ishte në studio mund t’jua japë vetë Kryeministri. Po, ka pasur një ngërç të tij me emisionin dhe ky ngërç lidhet me një emision të fillimit të janarit. Së paku ky është shpjegimi zyrtar që është dhënë përmes të tretësh. Unë me Kryeministrin as kam folur, as kam pasur debat dhe as kam diskutuar diçka konkrete. Thjesht një ditë komunikimi ka pushuar dhe që nga ajo ditë s’kemi folur më në telefon. Vetëm kaq. Unë vijova emisionin sipas të njëjtit stil dhe shpesh më vinte të qeshja kur pas intervistave me Ramën apo të tjerë, kolegë të mi në studio apo gazeta diskutonin si të mirëqenë që pyetjet vinin nga Berisha. Dukej qesharake, por përderisa ata kishin vendosur të vijonin komentet ne një mungesë të plotë informimi, nuk desha fare të ndërhyja. Pak njerëz që punojnë me emisionin si Lubonja, Bushati, Shkullaku, Baton Haxhiu kanë pasur dijeni për atë që po ndodhte dhe të gjithë më kanë sugjeruar që të vijoja normalisht pa tensione. E fundit, besoj se Berisha kishte zgjedhur si formë prezence në publik një model që e aplikoi edhe Basha në 2011, modelin e Taun Hollit. Ky model nuk përputhet me stilin e emisionit tim dhe unë s’mund të bëj diçka që s’është e imja. Nuk pranova të drejtoj as Taun Hollin e Bashës në 2011 dhe s’kisha pse negocioja me Berishen për një gjë që s’më takonte në 2013. Nga ana tjetër nëse Kryeministri vinte në intervistë, apo prezantim programi sipas modelit që zgjodha unë, ashtu siç bëri Rama, ai do të ishte i mirepritur. Në fakt asnjëherë ai nuk tha as po dhe as jo, dmth përmes zëdhënësve, por në fund deklaroi se donte model jashtë studioje dhe me publik që pyeste. Këtu vijoi vetë…Edhe diçka. Unë kam pasur nje raport kompleks pune me Sali Berishën si politikan. E kam njohur mëngjesin e 10 Dhjetorit 1990 në Qytetin Studenti, një ditë përpara se Ramiz Alia të priste përfaqesinë e studentëve dhe të deklaronte pluralizmin politik; kam qenë në dhomën ku ai u zgjodh anëtar i Komisionit Nismëtar të PD; kam qenë aty kur u zgjodh Kryetar Partie në 14 Shkurt 1991! Për vite kam pasur raporte të tensionuara dhe opozitare me të dhe për vite të tjera, një raport që unë e komsideroja mjaft miqësor. Por raporti me të, qoftë edhe në distancë ka ekzistuar gjithnjë. Ai është padyshim politikani më i talentuar i këtyre 23 viteve dhe njeriu që do shënjojë edhe historinë post komuniste të Shqipërisë. E kam thënë edhe njëherë, që sot e tutje ai nuk e ka raportin me ne, por me historinë. Vitet e opozitës me të kanë qenë të ashpra, vitet e miqësisë të bukura dhe padyshim që sot i vlerësoj shumë. Miqësia me të, në një farë mënyre ishte një privilegj. Por sa vlen, sa zgjat dhe kur prishet një raport miqësor, nuk besoj se kjo i intereson lexuesit. Ky është një raport personal dhe vetëm kaq!

Unë kam qene vetë në një format tuajin kur flitej për gratë në politikë, dhe dukshëm nga gratë e tjeja, ju kishit zgjedhur një foto të shëmtuar të Majlinda Bregut. Pse? Çfare e ka thyer bashkëpunimin tuaj me zonjën Bregu?

Nuk besoj të ketë qenë tamam kështu. Nuk besoj që zonja Bregu të ketë foto të shëmtuara. Me sa kam parë unë ajo është fotozhenike dhe kjo evidentohej që nga koha kur lexonte lajmet në televizion. Ka mundësi që atë ditë rezolicioni i fotos të mos ketë qenë i mirë. Sa për bashkëpunimin me zonjën Bregu, unë kam pasur dy probleme me të, një personal dhe një institucional. Nga ana institucionale, bashkëpunimi mediatik në zgjedhje ishte një dështim. Edhe pse përgjegjësia padyshim s’ka qenë vetëm e saja, ose ndoshta edhe unë kam pasur momente nervozizmi. Por prezenca e PD në studio në këtë fushatë ishte pika më e dobët e kësaj partie. Një rrënim total që ajo s’e ka pasur as në referendumin e kushtetutës në 1998, zgjedhjet lokale të 2000 apo ato të përgjithshme të 2001! Zonja Bregu, për arsye mbase edhe të ngarkesës së madhe nuk përgjigjej në kohë e herë herë përgjigjet ishin arrogante. Politika dhe media janë dy pushtete të ndara, ku asnjëri nuk e dominon dot kollaj tjetrin. Iluzioni që njëri është më i fuqishëm se tjetri, është thjeshtë iluzion. Në anën personale, ka qenë një keqkuptim i imi. Unë kam besuar se me Majlindën kemi qenë miq që nga koha që ajo punonte në Klan e madje më herët. Me gjasë kam qenë i gabuar! Pas zgjedhjeve kam pasur dy – tre konsiderata disi agresive për të. Nuk dua të ketë keqkuptime. E kam ndjekur për shumë vite në politikë dhe besoj se ajo ka qenë dinjitoze, kurajoze dhe me një komunikim të mirë në publik. Besoj se këto karakteristika që nuk ndeshen aq shpesh tek politikanët shqiptarë, do ta ndihmojnë të vijojë karrierën e saj në parti.

Cili ka qenë impakti i sherrit tuaj me Artan Lamen? Pse u nxehët aq shumë duke qenë se jeni moderator i një emisioni? Përveç asaj që dëgjuam dhe pamë?

Ajo që nuk u pa është se në pushim, pas një pjese të parë të rrëmujshme, të dy të ftuarit më kërkuan që të flisnin me rradhë dhe unë mos lejoja asnjë nga ata të ndërprisnin njëri – tjetrin. Kjo gjë funksionoi për sa kohë foli Lamja, por kur nisi tjetri, ai filloi ta ndërpriste. Isha i detyruar ose të ndërhyja, ose ta mbyllja emisionin. Nga ana tjetër insistova deri në fund sepse unë besoj se rregullat e lojës i vë Drejtuesi i emisionit. Arroganca e politikës që vjen dhe do të diktojë edhe në studio s’duhet të ekzistojë. Pastaj vlente edhe si shembull që mos kishte më situata të tilla dhe kur shembulli ndodh me një njeri që e ke mik dhe nuk keqkuptohesh, e bën edhe më të thjeshtë. Që mbas emisionit i kërkuam falje njëri – tjetrit me Lamen, por kur dy njerëz janë pasionantë dhe këmbëngulës, edhe ndodh.

Ka një teori se jeni bërë “rilindas”. Në fakt flitet po ashtu për një darkë deri në mëngjes me Edi Ramën. Si i rivendoset raportet? Rama nuk kishte shkelur në Klan. E kerkuat ju, apo ai?

Unë s’mund të bëhem rilindas sepse s’i kam karakteristikat për të qenë i tillë! Kam rilindur një herë në dhjetor 1990! E dyta, Ramën nuk e kam sjellë unë në studion e Opinion, por ka ardhur vetë. Ai e ka pasur ftesën të hapur prej vitesh, por refuzonte! Këtu ka luajtur një rol edhe Baton Haxhiu që ka ndikuar në rikthimin e Ramës në Tv Klan. Madje sipas të dhënave të mia ka ndikuar në moderimin e pergjithshëm të Ramës. Rama u rikthye në Klan në Maj 2012 dhe sërish në Shkurt 2013. Muajin e fundit prania e tij e shpeshtë nuk qe strategji, por situatë e krijuar nga kaosi i PD. Në mes të muajit Prill axhenda e emisioneve zgjedhore ju dërgua Selisë Blu. Në axhendë parashikohej prezantimi i programit që zakonisht bëhet nga lideri i partisë i shoqëruar nga një staf dhe një intervistë vetëm për vetëm e Kryetarit. Kjo ka ndodhur në të gjithë zgjedhjet duke nisur që nga viti 2001. PD e aprovoi axhendën dhe më pas kjo ju dërgua PS që po ashtu e konfirmoi. Pra Rama ra dakort që të vinte për intervistë dhe për prezantim programi. 2 javë përpara mbylljes, Berisha ndryshoi mendim duke i përmbledhur të dyja në një Taun Hall. Kjo bëri që Rama të merrte më shumë kohë dhe më shumë netë në Opinion. Por më shumë se një zgjedhje e Ramës, kjo ishte një zgjedhje e Berishës. Nuk ishte hera e parë që ndodhte. Në 2005 Fatos Nano nuk erdhi ne Opinion pasi e kishte konfirmuar; në 2009 Edi Rama po ashtu refuzoi të vinte; këtë vit ishte Berisha që refuzoi. pra s’është diçka e re. Sa për darkën, nuk e di për cilën e keni konkretisht. Zakonisht në Opinion, pas emisioneve të ftuarit qëndrojnë ende një apo dy orë në një kafe ose darkë post emision. Kur emisioni me Raman mbaroi në 1.35 të mëngjesit, besoj se ai ka ndenjur edhe nja një orë e gjysëm në një kafe me shumë vetë, dhe kjo mund të quhet mengjes. Por me sa kujtoj unë, se s’kam qënë shumë i vëmendshëm, në të u fol më shumë për vëllimet me poezi dhe talentin poetik të Andi Bejtes. Dmth ka qenë më shumë bisedë me tematikë poetike. Zakonisht Rama s’ka folur me mua për politikë dhe që nga ajo ditë, dmth pas zgjedhjeve, s’kam pasur ndonjë kontakt me të!

Në këndvështrimin tuaj, cili ka qenë emisioni më i mirë i realizuar gjatë fushatës parazgjedhore?

Padyshim intervista me Ramën e datës 20 Qershor. Intervista filloi në 21.27 minuta për arsye të vonesës në miting dhe mbaroi në 1.31 minuta. Eshtë intervista më e gjatë e zhvilluar ndonjëherë dhe me një intensitet që s’e prisja. Ne kontrollonim audiencën çdo 15 minuta dhe paralel me ne, në një linjë tjetër, e bënte edhe stafi i Ramës. Ajo ishte impresionuese. Sipas kalkulimit mbi bazën e matjes së Tiranës, në gjithë Shqipërinë, ajo ka pasur afro 840 mijë shikues. Ndërsa emisioni më i shikueshëm është ai i datës 26 Qershor, pas zgjedhjeve, mbrëmjen që Berisha dha dorëheqjen nga PD. Sipas të njëjtit kalkulim mund të kenë qenë afro 1 milion e pak shikues!

Pse deshtuan debatet politike të këtij viti?

Palët nuk qenë të interesuara për to. PS e dinte fare mirë që ishte në avantazh, kishte sondazhe të sakta dhe nuk kishte asnjë interes të përplasej me PD. Mjafton të mos gabonte që të ruante avantazhin. PD – në nuk e kuptova dot. Sipas të gjitha analizave që bëja me kolegë dhe njerëz që e njohin fushatën, PD ishte më e interesuara për debate. Ajo s’kishte rrugë tjetër të ngrihej vecse të përballte dhe mundësisht të siguronte avantazh ndaj konkurentëve në debate televizive. Ata duhej të ishin cdo mbrëmje, në çdo studio, madje kryesisht në ato kundërshtare, por me gjasë menduan se taun Hollet mjaftonin. Besoj se gabuan. Në fakt, përtej kësaj, edhe shtypi duhet të shohë dicka të stilin e tij sepse kjo fushatë tregoi që shtypi ishte shumë më pak i fuqishëm dhe influent se sa duhet të jetë.

Si po e shikon këtë periudhë të tranzitimit të pushtetit?

Nuk e kam ndjekur me shumë vëmendje për hir të së vërtetës!

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article