Muzeu i Zymit – djep i traditës

Objekti i Muzeut të Zymit gjendet në Kompleksin Përkujtimor “Atë Shtjefën Gjeçovi” dhe ai është ngritur me vullnetin dhe mjetet e zymjanëve (deri më tash ka kushtuar rreth 180 mijë euro), dhe në kuadër të tij (kompleksit) është teatri me afro 1000 ulëse, pastaj bina...

3600 0

Objekti i Muzeut të Zymit gjendet në Kompleksin Përkujtimor “Atë Shtjefën Gjeçovi” dhe ai është ngritur me vullnetin dhe mjetet e zymjanëve (deri më tash ka kushtuar rreth 180 mijë euro), dhe në kuadër të tij (kompleksit) është teatri me afro 1000 ulëse, pastaj bina për shfaqje të ndryshme, shtatorja e Atë Shtjefën Gjeçovit (e lartë gjashtë metra) etj.

Shkruan: Albert MARJAKAJ

Kohë më parë, pikërisht në “Takimet e Gjeçovit” të vitit kaluar, në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, ishte hap Muzeu i fshatit. Në atë muze shprehet pjesa më e rëndësishme e dëshmisë historike e kulturore e fshatit Zym me rrethinë. Në muzeun e Zymit ruhen gjetjet autentike që nga kohët më të hershme e deri më sot. Godina e muzeut, e njohur si monument kulture, që në Zym quhet Kompleksi Përkujtimor “Atë Shtjefën Gjeçovi”, tash për tash është pronë dhe nën mbrojtje të fshatit, por do te duhej që sa më parë të mbrohet nga shteti. Ai objekt – Kompleksi Përkujtimor, është ngritur me vullnetin dhe mjetet e zymjanëve (deri më tash ka kushtuar rreth 180 mijë euro), dhe në kuadër të tij (kompleksit) është teatri me afro 1000 ulëse, pastaj bina për shfaqje të ndryshme, shtatorja e Atë Shtjefën Gjeçovit (e lartë gjashtë metra) dhe në te gjendet Muzeu i Zymit.

Shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i kulturës Frrok Kristaj, nga Zymi që tashmë jeton në Prishtinë, është marrë shumë vite me hulumtime historike, si dhe me punë muzeore. Ai tash shprehet i brengosur për gërryerjen kulturore që po ndodh e për të cilën dukuri të zhdukjes së eksponateve, siç thotë ai, po mundohemi t’i ndalojmë ato shkatërrime brutale të një numri gjetjesh duke evituar harresën përfundimtare. Ndaj, në Ditën Botërore të Muzeve – 18 majin, zhvilluam një intervistë me Frrok Kristajn.

Mendojmë se Muzeu i Zymit është më i riu në Kosovë, nga u erdhi idea për formimin e tij?

Po, kur fshatarët e Zymit, Shëngjergjit dhe të Zymit Poshtëm (njihet si fshati Bregdri) e ngriten Kompleksin Përkujtimor “Atë Shtjefën Gjeçovi” e kishin planifikuar edhe lokacionin për një muze. Zymit edhe i takon një institucion i tillë pasi që ky fshat ka të kaluar të begatë historike, etnografike, arsimore e kulturore. Në fakt, nga Hasi na vjen Pal Hasi, Familja e Bogdanëve (Andrea, Pjetri, Gjoni e Luka), pastaj shumë dëshmi flasin edhe për preardhjen hasjane edhe të Gjergj Kastriotit, nga Hasi ishte edhe Dërvish Salihu, Katarina Josipi, Anton Pashku, prejardhje zymjane kishte edhe Lazër Lumezi, Ndue Bytyçi e Hermina Lekaj (të gjithë tashmë të ndjerë), por edhe Kristë Lekaj, Engjëll Berisha, Severin Kajtazi, pastaj në Zym kishte shërbyer Gjon Nikollë Kazazi, Mihill Suma, Shtjefën Gjeçovi, e shumë e shumë të tjerë. Po ashtu, thuhet se në Zym ka funksionuar shkolla që nga shekulli XVII, por nxënësit dhe mësuesit dihen që nga viti 1864. Njëherësh, në Zym ka funksionuar Ipeshkvia nga viti 1702-1752, pastaj Legata Austro-hungareze (1914-1918), por se Zymi ka pasur edhe abetaren e vet të njohur si “Abetarja e Zymit 1900”. Ndërkaq, Zymi sot ka Kishën e Zojes se Hasit, Shkollën Fillore “Shtjefën Gjeçovi”, Gjimnazin “Gjon Buzuku”, ShKA “Katarina Josipi”, Klubin letrar “Shtjefën Gjeçovi”, manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, Bibliotekën “Pjetër Bogdani”, Shtëpinë e kulturës “Katarina Josipi”, shtatoren e Shtjefën Gjeçovit, të Nënës Tereze, lapidarin e “Abetarës së Zymit” e kështu me radhë.

Ju ishit nisjator i themelimi të Muzeut të Zymit, edhe kush u ndihmoi?

Meqenëse ishte dëshirë e mbarë banorërve të vendbanimeve që i përmenda më lartë, aksionit i janë bashkjitur edhe Nikollë Kërhanaj, Kolë Ndrekë Prekpalaj, Nokë Lekaj, Tomë M. Prekpalaj, Lajde Kolëgjeraj, Hilë Gjevelekaj, Kristë Dulaj, Arsim Kërhanaj e shumë të tjerë. Eksponatet e para janë sjellë pikërisht nga të përmendurit. Këtë Muze e ka hapur Valton Beqiri, ministër i kulturës së Republikës së Kosovës.
Sot në këtë Muze në radhë të parë gjendet tavolina e punës, arkat e librave dhe veladoni i Shtjefën Gjeçovit, pastaj relikte të Katarina Josipit, Anton Pashkut e të tjerëve, por edhe vegla pune për shtëpi, për pajë të nusërisë, amvisëri, bujqësi, pjekje të rakisë, si dhe veshje e fotografi nga më të vjetrat, por edhe të më vonshme të shtëvipe të tipit kulla e të tjera të Zymit.

Mendoni se Muzeun do ta pasuroni edhe më shumë?

Gjithësesi. Ai çdo ditë po begatohet. Bashkëvendësit e mi pothuaj se për ditë sjellin nga ndonjë eksponatë që mendojnë se e begaton Muzeun. Në fakt, Muzeu i Zymit pretendon që dita-ditës të begatohet me elemente të rëndësishme për këtë qëllim, si dhe me gjetje që i takojnë periudhës relativisht të vonë. Në këtë pasuri mund të përmendim fillimet e shkrimit të literaturës në gjuhën shqipe nga hasjanët e hershëm, si Ndre Bogdani, e nipi i tij, Pjetër Bogdani. Aty së shpejti do të gjenden edhe veshjet tipike të shekullit të shkuar, por edhe të më vonshme. Bile, aty shpaloset tradita e krahinës së Hasit nëpërmejt objekteve të qëndistarisë, artizanateve, fotografive, të shtëpive të tipit kulla etj.

Në fakt, për çka flet, por edhe dëshmon Muzeu i Zymit?

Ky objekt përveç tjerash paraqet një vend të kujtesës historike, por paraqet edhe krenari që flet për të kaluarën e lavdishme të këtij mjedisi, që konsiderohet i tëri si vend muze.
Lokacioni i muzeut është i ekspozuar në objektin karakteristik – në Kompleksin Përkujtimor “Atë Shtjefën Gjeçovi”, ku gjëndet një fond prej afro 300 eksponatesh e disa qinda fotografish të tjera dhe të ndryshme. Eksponatet kryesore të ekspozuara janë një koleksion i kostumeve lokale, çergave, qylymave, enëve të gatimit, armëve e mjeteve të tjera të punës, monedha e të tjera, të zonës së Zymit.
Eksponatet e paraqitura në mjediset e muzeut japin një pamje të plotë të zejeve të ushtruara në Zym, Shëngjergj, Bregdri e viset të tjera të Hasit të Thatë. Eksponatet e këtij muzeu janë origjinale dhe funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi e qëndisma të ndryshme. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare.

Çka mendoni për gjendjen e muzeve që gjenden në mjediset tjera të Kosovës?

Muzeu i Zymit mban brenda mureve të tij një pasuri të vlefshme të kulturës popullore të kësaj treve. Në te përmes eksponateve që janë trashëguar brez pas brezi, pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet, etj.
Ky Muze që gjendet në mes shkëmbinjësh flet për të kaluarën e lavdishme dhe kulturën e mjedisit. Në Zym të Hasit ku gjendet pra sot muzeu i lokalitetit kujton identitetin shqiptar të vendasëve. Ndaj, në kohën kur pothuajse kudo nëpër Kosovë janë zbehur përpjekjet për ruajtjen e vlerave të kulturës materiale e shpirtërore, një fshat i veçuar shkëmbor, siç është Zymi, na kujton të gjithëve të shkuarën tonë nëpërmjet një muzeu etnografik, historik, arsimor, kulturor e më gjerë. Pretendimet e muzeut të Zymit për lashtësinë sigurisht që janë modeste, por ato fiksojnë të paktën disa nga shekujt e kaluar e deri në ditët tona. Me rreth 300 objekte, sa ka sot ky Muze, ai synon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve për mënyrën e jetesës së banorëve të trevës, për veshjet, mjeshtëritë, punët bujqësore, ato blegtorale e baritore, kuzhinën e vjetër, kostumet origjinale të femrave dhe femrave me larmi të ngjyrave, si dhe teknologjinë e punimit të tyre e kështu me radhë, deri te odat e dikurshme me orenditë e tyre, pa harruar tërësinë e përbërësve të djepit apo armët e brezit të periudhës së kalorësisë. Sidoqoftë, Muzeu i Zymit, përbën hë për hë oazën e vetme kulturore, e cila është kontribut plotësisht i zymjanëve.

 

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article