Lugishta, fshati që u ngrit si feniks

Optimizmi, puna dhe besimi për të ardhmen të bëjnë ta prekësh një realitet krejt tjetër, nga ai që para 15 vjetësh la lufta në Lugishtë të Hasit. Ky është ndër fshatrat që ka pësuar më së shumti, jo vetëm në komunën e Prizrenit, por edhe...

1970 2

Optimizmi, puna dhe besimi për të ardhmen të bëjnë ta prekësh një realitet krejt tjetër, nga ai që para 15 vjetësh la lufta në Lugishtë të Hasit.

Ky është ndër fshatrat që ka pësuar më së shumti, jo vetëm në komunën e Prizrenit, por edhe më gjerë.

Përkundër dhimbjeve shpirtërore, që shkaktoi vrasja e zhdukja e më të dashurve të tyre, që pothuajse ka prekur çdo familje, banorët e vyeshëm të kësaj ane me forcat e tyre, falë djersës së kurbetit, por edhe të disa investimeve nga komuna, tashmë i kanë dhënë pamje të re fshatit, që me 1999 ngjante në gërmadhë.

Gjate fazës së bombardimeve të NATO-s,në pranverën e vitit 1999 forcat ushtarake serbe vranë 47 banorë të pafajshëm në mesin e të cileve edhe fëmijë.Ofensivat shkatërruese ishin  të pamëshirshme jo vetëm ndaj njerzëve,por edhe ndaj objektëve të këtushme,duke shndërruar fshatin në tokë të djegur. Ushtarët dhe paraushtarakët serbë dogjën shkollën pastaj shtëpitë e fshatit, që ndohet rrëze maleve të Pashtrikut në rripin kufitar me Shqipërinë.

Para largimit përfundimisht nga ky fshat,paramilitarët serb kanë djegur edhe Teqenë e Dervish Salihut,objekt kulti kjo që gëzon një respekt jo vetëm në këtë rajon,por edhe në atë të Rekës së Gjakovës.

Fshati arterie për UÇK-në

“Nga fillimi i luftës ky fshat ishte therë në sytë e regjimit serb. Nëpër Lugishtë kaluan shumë ushtarë dhe eprorë të UÇK-së, të cilët e shfrytëzuan këtë si korridor për futjen e armatimit nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa misionit të shenjët për lirinë e vendit iu bashkuan edhe disa djem të kësaj ane, tetë  prej të cilëve ranë dëshmor duke luftuar në beteja të ndryshme”,thotë ai.

Pas luftës, në fazën emergjente, falë ndihmës së organizatës gjermane “ASB” këtu janë ndërtuar disa shtëpi. Ndërkaq menjëherë pas përfundimit të luftës  banorët i janë përveshur punës, ndërsa me mjetet e tyre të fituara në kurbet, kryesisht gjatë ushtrimit të zejës së bukëpjeksit kanë ndërtuar 67 objekte të reja banimi. Lugishta është një fshat karakteristik jo vetëm për shkak të pozitës gjeografike, pasi shtrihet në një gropë, rreth 31 kilometra larg qendrës komunale, por edhe shkaku i shkapërdedhjes në disa lagje, në një distancë jo fort të afërt. Pas kthimit të popullatës më 1999, në shkaku i djegies së shtëpive disa familje janë detyruar të gjejnë  strehë gjetiu. 43 familje, shumica nga lagjja e Muqajve janë shpërngulur në Prizren.

Ish-drejtori i shkollës, Isa Osmankaj thotë se para lufte shkolla ka pasur 600 nxënës, ndërsa objektin e ri të shkollës, njërin ndër më modernit në vend, në vitin 2002 e ndërtoi qeveria Japoneze, që ka investuar rreth 900 mijë marka gjermane.

Drejtori aktual i shkollës “Pjetër Budi”,Bekim Nerjovaj, tregon se si pasojë e shpërnguljes, por edhe planifikimit familjar, numri i nxënësve tashmë ka rënë në 480. Mbështetur në regjistrimin e fundit të popullsisë, Lugishta ka rreth 2.800 banorë. Ata tashmë ia kanë ndërruar pamjen fshatit. Shtëpitë e bukura kanë ngritur shtat kudo, saqë ata që s’kanë qenë këtu prej 10 vitesh vështirë e kanë ta besonë.E reja këtu është ngritur mbi themelet e njërës prej tragjedive më të rënda.

Nga Lugishta, 120 furrtarë

Safet Elezaj, që ka përjetuar luftën, ndërsa tashmë bashkë me vëllezër punon në Bosnjë, thotë se vuajtja sikur e ka motivuar për të investuar dhe rindërtuar vendlindjen, pasi e ka parë me sy shkatërrimin e saj.Pos, rrugës së asfaltuar, në gjatësi prej 5.7 kilometra që lidh Lugishtën me rrugën kryesore të Hasit, tashmë me kubëza janë rregulluar edhe rreth 5.300 metra gjatësi  të rrugëve brenda fshatit.

Kryetari i fshatit Bekim Nerjovaj tha se në fshat janë pesë dyqane ushqimore, tri kafene, një butik, ambulanca, ndërsa falë investimit të komunës, sapo është ndërtuar shtëpia e kulturës, në vlerë prej 180 mijë euro. “Lugishtës i kanë thënë skele dhe vërtet del kështu.Ky është një fshat i gjallë, që vazhdimisht lëviz dhe kjo mund të shihet nëse numërojmë automjetet që qarkullojnë këtu, thotë ai, duke treguar se këtu ka edhe automjete nga tipat më të rinjë.Llogaritet që banorët  e këtij fshati kanë 120 furra buke në Bosnje,Kroaci, Slloveni, Hungari e gjetiu.Fshati nuk ka kanalizim,Nerjovaj thotë se ka nevojë për shtimin e kapacitetit të ujit të pijshëm gjatë verës, si dhe duhet të përfundojnë disa rrugë me kubëza që kanë nisur gjatë zgjedhjeve. Megjithatë, banorët shprehen se kurrë nuk do të harrojnë tmerrin që ua shkaktuan forcat serbe, kur përpos meshkujve vranë e masakruan edhe gra e fëmijë të pafajshëm, vetëm pse ishin shqipëtarë. Njëri nga të mbijetuarit, Selajdin Gigollaj kujton se militantët serbë, në vendin”Deli Ujt” ku mbi fshat ishin strehuar disa banorë me familje, pas rrethimit mëngjesin e 12 prillit, ndanë meshkujt mbi 15 vjet dhe pas rrethimit, afër një përroske, qëlluan me breshëri pa dallim duke vrarë edhe fëmijë e gra.

Fshati i ringjallur i Hasit

“Ata që mbijetuan i detyruan të hanë barë, ndërsa me thikë ua hapnin gojën për të vërtetuar nëse po vepronin sipas urdhërave të tyre” shprehet ai. Në kujtim të masakrës është ngritur Kompleksi Memorial kushtuar dëshmorëve dhe martirëve. Fshati është ngritur me optimizëm nga gërmadha. Veprimtari Muçaj tha se s’ka besuar që për këto vite të bëhen kaq shumë ndryshime. Këtu tashmë bëhen dasma e ceremoni të tjera familjare. Përkundër, që ceremonitë përfundojn me trendin modern të kohës, në resaurantet atraktive të kësaj ane, banorët e këtushëm janë lidhur për fshatin e traditën edhe në kremte. Ata dasmën e fillojnë në shtëpi, aty pranë themeleve të të parëve, siç shprehen ata “për të gëzuar oborrin”.

Ringritja e Lugishtës nga hiri si një feniks mitologjik, do të mbajë mbi vete energjinë dhe forcën hasjane për të mposhtur çdo fatkeqësi dhe përmes punës për të dhënë shembuj te brezat e rinjë.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article