Kush e solli Kostandinin?

Ngjarja e së martës ku mbetën të vrarë katër i ka kaluar kufijtë e triditëshit të habisë dhe po futet në një territor tjetër. Kërkohen, përtej kronikës, arsyet e asaj që ngjau. Pse ndodhi ajo që ndodhi? Më saktë, si mundi Kostandin Xhuvani, një 26-vjeçar,...

763 0

Ngjarja e së martës ku mbetën të vrarë katër i ka kaluar kufijtë e triditëshit të habisë dhe po futet në një territor tjetër. Kërkohen, përtej kronikës, arsyet e asaj që ngjau. Pse ndodhi ajo që ndodhi?

Më saktë, si mundi Kostandin Xhuvani, një 26-vjeçar, bir i dy artistëve që sipas çdo pritshmërie do ish rritur e mbyllur si ‘fëmijë arti’, u kthye në ‘fëmijë të tmerrshëm’? Kronologjia e ngjarjeve do të na afronte me shpjegimin, por pamjaftueshëm. Dekodimi i asaj që ndodhi dhe i asaj që ishte në të vërtetë Kostandin Xhuvani bëhet vetëm me anë parametrash socialë e politikë. Vetëm kësisoj mund t’i përgjigjemi pyetjes: kush e solli Kostandinin?

Kryeministri Rama në daljen e tij para publikut disa orë pas ngjarjes, ra në kurthin e një komunikimi të përmbysur. Në vend të dialogut me opinionin, duke ia filluar nga familjet e të vrarëve, ndërtoi një komunikim imagjinar me kundërshtarin politik. Imagjinarja e kryeministrit foli për çfarë do të kish ndodhur nëse në pushtet do të ishin ata të tjerët, pra paraardhësit. Sipas tij, autori i akuzuar nuk do ishte kapur, autoriteti që kish lidhje me të akuzuarin, në këtë rast nëna e tij nuk do ishte dorëhequr, e kështu me radhë. Shefi i qeverisë, i zënë në gjakun e freskët të Kostandinit të tij, u përpoq të kujtonte gjakun e mpiksur të kostandinëve të anës tjetër.

Futi në skenën e teatrit të tragjedisë kombëtare Kostandinin e tij.

Deputetja, tashmë e dorëhequr Luiza Xhuvani, e veshur me të zeza dhe me pikëllimin e Elektrës në skenë, shpalli hapur e sinqerisht të gjithë atë që ndjen një nënë e askush tjetër nuk mund të provojë. Si në zinxhirin e tragjedive antike greke, ajo që sapo kish ndodhur nuk mund të mos rridhte prej ngjarjesh më parë të ndodhura. Si Klitemnestra, Egisti, Agamemnoni, Oresti dhe Elektra janë të pandarë në fatin e përbashkët, ashtu dhe gjaku i një krimi të mëparshëm kryer nga Kostandini, i shpaguar me vetëm dy vjet burg, kërkonte më shumë gjak. (Perënditë e hakmarrjes janë edhe më të ashprat.) Hamendësohet shumë për rolin e deputetes në dënimin monstruozisht të lehtë të të birit, por sikur asfare gisht të mos ketë, heshtja për jetën e një tjetër biri nëne, të bën fajtor.

Si në kalin e legjendës ku rrugëtonte i vdekuri me të gjallin, edhe Luiza solli Kostandinin e saj.

Tragjedia, si shumica e tragjedive në Shqipëri, nuk do ishte e mundur pa gjykatësit dhe prokurorët e Republikës. Vrasja e katërfishtë ndoshta vetëm sa do ish shtyrë në kohë me një burgosje më të gjatë të Xhuvanit, sepse ai do kish goditur në një kohë tjetër me të tjera viktima, por kjo nuk e shfajëson peshoren e padrejtësisë në duart e gjykatësit që mori dhe lexoi vendimin për dënimin 2-vjeçar. Aq më pak atë që përgatiti akuzën. Në bankën e të akuzuarve bashkë me Xhuvanin e ri, gjyqtarët të cilëve do u bjerë shorti i çështjes, kanë edhe kolegët e tyre.

Drejtësia, ajo që me saktësinë dhe ndershmërinë e saj duhet të na shpëtojë nga legjendat, e krijoi vetë një të tillë, duke sjellë edhe ajo Kostandinin e vet.

Një këngë e famshme e Johny Cash ka në refren porosinë e nënës për të birin: don’t take your guns to town son (mos shko me armë në qytet, bir!). Armët, por jo vetëm ato, për më shumë psikologjinë e të fortit e kemi në qytet e në fshat; në krye të vendit e deri në fund të tij. E gjen të demonstruar në Parlament, në formën e deputetëve dhe në rrugë, në trajtën e lacave. E ka krijuar ndër të tjera edhe lakmia dhe pangopësia e shoqërisë. Dorëzimi i saj para kodeve të ulëta. Më keq ende, ndërtimi i këtyre mureve kulturore e sociale.

Kostandini që na duket se erdhi papritur e pakujtuar, është edhe shëmbëllimi ynë.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article