”Katarina Josipi” – shoqëria më aktive në Kosovë

Kjo shoqëri e Zymit u themelua para plot 42 vjetëve. Ajo me sukses është prezentuar edhe me rite e zakone popullore, por edhe me këngë të kurbetit. Kjo shoqëri gjatë veprimtarisë së saj të suksesshme mori pjesë në shumë festivale e revista në vend, por...

1623 0

Kjo shoqëri e Zymit u themelua para plot 42 vjetëve. Ajo me sukses është prezentuar edhe me rite e zakone popullore, por edhe me këngë të kurbetit. Kjo shoqëri gjatë veprimtarisë së saj të suksesshme mori pjesë në shumë festivale e revista në vend, por edhe në shtetet e ndryshme të Ballkanit. Së shpejti pritet ngritja e shtëpisë së lindjes së Katarina Josipit, e cila do të jetë muze.

Në Has të Thatë gjendet fshati Zym, ku qysh para 42 vjetëve me iniciativën e Frrok Kristajt është themeluar Shoqëria kulturore-artistike “Katarina Josipi”. Është themeluar dhe pagëzuar kjo shoqëri (4 maj 1970) me emrin e aktorës së parë shqiptare jashtë Shqipërisë administrative, përkatësisht me emrin e të madhës Katarina Josipi, që është e lindur (më 9 nëntor 1923) në Zym të Hasit, kurse kishte vdekur (më 29 prill 1969) në Prishtinë, por që me amanetin e saj ishte varrosur në varrezat e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj, afër Zymit të Hasit të Thatë, aty ku edhe i kishte të parët e familjes.

GK

Shoqëria kulturo-artistike “Katarina Josipi” e Zymit nga kohët e lashta kishte trashëguar një traditë të begatë kulturore e arsimore. Nga ky mjedis kishin dalë apo kishin vepruar figura të shquara të kulturës dhe të historisë kombëtare. Nga ky mjedis kishte dalë i madhi mons. Pjetër Bogdani e mons. Ndre Bogdani, Lukë e Gjon Bogdani, pastaj Pjetër Mazrreku, aty është i varrosur edhe Pater Luigj Palaj, e më vonë edhe Pater Shtjefën Gjeçovi, nga Zymi kishte dalë Ndue Bytyçi, Lazër Lumezi, Katarina Josipi, Anton Pashku, Hermina (Delhysa) Lekaj e shumë e shumë të tjerë.
Në fakt, në Zym, që ishte dhe mbeti qendër administrative dhe kulturore e arsimore e Hasit, me themelimin e Shoqërisë fillon jeta e organizuar dhe e institucionalizuar amatore kulturo-artistike edhe në Has të Thatë të komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë.
Përndryshe, SHKA “Katarina Josipi” që nga fillimi kishte nis veprimtarinë me seksionin e këngëve dhe të valleve burimore popullore. Më vonë ishte zgjëruar edhe me seksionin e dramës, me atë të recitatorëve, korin, seksionin e folklorit, të rapsodëve, seksionin e riteve dhe të zakoneve popullore të Zymit e të Hasit në përgjithësi e kështu me radhë.
Kjo shoqëri 10 vjet në Zym ka organizuar revistën e shoqërive kulturo-artistike “Hasi”, revistë kjo që shumë herë është mbajtur në shenjë të përvjetorëve të rëndësishëm të figurave hasjane të kulturës, siç ishte rasti me Muharrem Qenën, Katarina Josipin, Xhevat Qenën, Safete Rogovën, etj.
Në fillim repertuari i kësaj shoqërie kishte karakter mozaiku, sepse prezentohej me këngë fëmijësh, recitime e valle zymjane, që kryesisht përcjelleshin me def, lodra, fyell, kavajë, bizhnica, kurse më vonë u pasurua edhe me mandolina, violina, kitare, prima, mandola, fizharmonika, klarinete e vegla të tjera muzikore, përkatësisht repertuari i kësaj shoqërie më vonë u begatua edhe me forma të tjera muzikore e të valleve.
Në veçanti duhet cekur se kjo shoqëri me sukses është prezentuar edhe me ritet dhe zakonet popullore, si me ritet e punës, të dasmës, të kulaçit të nusës, të grishtarit, me ritet e festës së Pashkëve, të Kërshëndellave, të Shën Gjergjit e të tjera, por edhe me këngët e kurbetit, për çka edhe tash e 10-vjet mban manifestimin “Dita e kurbetçarëve”.
Gjatë aktivitetit të vet amator SHKA “Katarina Josipi” e Zymit të Hasit, si shoqëri vitale dhe mjaft reprezentative, që në veçanti është dalluar për kah kostumografia e Hasit dhe veshja origjinale popullore e traditës së kësaj ane, ka shfaqur koncerte e programe të tjera në Zym e fshatrat tjera të Hasit të Thatë, pastaj është paraqitur edhe para publikut të shumë qendrave të mëdha të Republikës së Kosovës e më gjerë.
Do përmendur se kjo shoqëri përveç që rregullisht është paraqitur në manifestimin letraro-kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që mbahen tash e 42 vjet me radhë në Zym, kjo Shoqëri gjatë veprimtarisë së saj të suksesshme mori pjesë në shumë festivale, revista e koncerte të ndryshme, si në Festivalin e këngës së krishterë në Pejë, Prishtinë e në Zllakuqan, pastaj në Festivalin e Recitatorëve të Kosovës në Pejë, në “Hasi jehon” në Gjonaj, në Festivalin e të rinjve të Kosovës në Prizren, në Festivalin e koreve të fëmijëve në Zveçan, në Festivalin “Kosovarja këndon” në Ferizaj, në Solemitetet e fshatrave në Klinë, në Festivalin e folklorit burimor në Gllogovc, në Festivalin e amatorëve të Serbisë në Valevë, në Festivalin ndërkombëtar të folklorit në Zagreb, në Festivalin Ballkanik të këngëve dhe valleve popullore në Ohër, në “Muajin e kulturës” në Ferizaj, në Festivalin “Sofra dardane” në Bajram Curr në Shqipëri, pastaj në Festivalin e Tuzit në Mal të Zi, në Festivalin e valleve burimore në Deçan, si dhe në Festivalin e Dejes së Rahovecit, por kjo shoqëri është paraqitur edhe para publikut të Beogradit, para pjesëmarrësve të Kongresit të fokloristëve të ish-Jugosllavisë në Prishtinë, e kështu me radhë.
Të themi edhe këtë se në aktivitetet kulturore të kësaj shoqërie të vyeshme deri më tash kanë defiluar disa qindra amatorë, me të cilët gjatë periudhës 42-vjeçare ata kanë shfaqur po ashtu disa qindra koncerte e programe të tjera kulturore-artistike.
Kjo flet se historia 42-vjeçare e SHKA “Katarina Josipi” të Zymit të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, është në fakt historia e jetës kulturo-artistike e Hasit (me veprimtarët e kësaj shoqërie më vonë u themelua SHKA “Isa Boletini” në Rogovë, SHKA “Malësori” në Gjonaj dhe SHKA “Muharrem dhe Xhevat Qena” në Ramajë) dhe më gjerë.
Do përmendur se themeluesi i kësaj shoqërie, që edhe sot është veprimtar i devotshëm i kulturës, Frrok Kristaj, është edhe autor i monografisë “Katarina Josipi – Kati”, si dhe bashkëautor (me Nikollë Kërhanaj, Shtjefën Dulaj e Hilë Gjevelekaj) i monografisë “SHKA ‘Katarina Josipi’ 1971-2006”, por merita të mëdha ka edhe koreografia e kësaj shoqërie, Lajde Kolëgjeraj, por edhe shumë veprimtarë të tjerë.
Në anën tjetër merita të veçanta kanë edhe familjet e Nikollë, Engjëll, Franush, Anton e Marjan Dulaj, nga Zymi e Prizreni, që ia falen Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, shtëpinë e lindjes së aktorës Katarina Josipi, për ta shndërruar në muze, si dhe Pol Josipi, nga Prishtina, që ia ngriti varrin Katarina Josipit.

AMATORËT ZYMJANË NË ZAGREB
SHKA “Katarina Josipi” e Zymit po e përfaqëson Republikën e Kosovës në edicionin e 12-të të Festivalit ndërkombëtar të Folklorit, që po mbahet në Velika Goricë dhe në Zagreb të Kroacisë, prej 5-8 korrik.

 

Nga Nol Kristaj

 

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article