Fabulat e një zonje nga Hasi

 Shënime rreth librit “Fjala”, të autores Shkurte Mula Botuar nga gazeta “Tirana Observer”, 22 Mars 2015 Nga Man Poga Mësuese Shkurta, siç e njohin e i thrrasin të gjithë në Has, përpara se të jetë mësuese, në syrin tim, është një zonjë e vërtetë në...

1560 1

 Shënime rreth librit “Fjala”, të autores Shkurte Mula

Botuar nga gazeta “Tirana Observer”, 22 Mars 2015

Nga Man Poga

Mësuese Shkurta, siç e njohin e i thrrasin të gjithë në Has, përpara se të jetë mësuese, në syrin tim, është një zonjë e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse si zonjë ka lëne gjurmë tek unë qysh në fëmini, në kontaktin e pare, si mësuese e muzikës (në 8-vjeçare). Dhe e tillë ka mbetur edhe më pas, më sjelljen, aktivitetin, karakterin, qytetarinë, humorin, që ka përcjellur gjatë gjithë kohës në komunitet. Më vonë, kam ndjekur nga larg punën e saj, dhe kam vëne re pasionin e  pafund  për të mbajtur gjallë sadopak jetën kulturore, artistike, muzikore në një qytet të heshtur si Kruma. Edhe këtë libër, e shoh si mesazh nga ana saj, se jo gjithçka ka vdekur në atë qytet. Së mbrami, kur të gjithë flenë, një dritë është mbajtur ndezur deri vonë,  për të shkruajtur këtë libër me fabula që mësuese zonjë, Shkurte Mula, na sjell si kontribut intelektual. Për ne, nxënësit e pafund të saj, ky botim vjen si dedikim, si shenjë e respektit të pakohë, të pandashëm mes mësueses dhe nxënesve. Që në kopertinë, në hyrje libri kulmon me vargjet: “Një jëtë me ju nxënës punova, / Ju kam mësuar e më keni mësuar/ ndaj këtë libër të vogël mendova/ juve për t’ua dedikuar”.

Duke lexuar librin “Fjala”, shkruar me shumë mjeshtëri nga znj. Mula, mendimi i parë që më erdhi ishte: të ulëm dhe të shkruaj ca shënime, në mënyrë që kjo vepër cilësore, produkt i një përvoje disadekadeshe të mos mbetet krejt në hije, fill pas botimit, por t’ua bëj të njohur sa më shumë lexuesve që të jetë e mundur. Besoj se në fund, do me jepni të drejtë, ndoshta do bashkoheni me përshtypjen time se ky shkrim është minimalist, pasi të lexoni fabulat e autores, intelektuales, artistes, aktivistes, mësueses së njohur hasjane Znj. Shkurte Mula.

Një e nga një, të 208-të fabulat pas çdo leximi të pasurojnë, të mençurojnë edhe më, të mahnisin me dinamikën, larminë e tematikave të rrokura, freskinë, satirën e mprehtë në përmbajtje, origjinalitetin në krijim. Në fund, libri mbyllet në mënyrë të befasishme, gjeniale do të thoja, me krijimin e mrekullueshëm “Nusja dhe shtetrrethimi”, krijuar nga titujt e 100 filmave shqiptarë. Pa i cënuar ato, autorja ka “luajtur” me mjeshtëri me titujt e fimave dhe ju ka dhënë kuptim çdo titulli duke i rradhitur sipas përmbajtjes.

Libri u mbeshtet financiarisht nga Z. Kadri Morina, bisnesmen, mbi të gjitha i njerëzishëm e dijëdashës, i cili si ish nxënës i autorës mundësoi botimin në shenjë mirënjohje për vlerat njerzore, intelektuale dhe qytetare që mësuese Shkurta mbart.

Fabula nga libri:
“Mirësjellje”

N’telefon e mori shefi.

U ngrit në këmbë, e përshëndeti.

Një tjetër u ndodh në zyrë.

E kuptoi veprimin mirë.

-ç’bën kështu? A s’e kupton?

Ai s’të sheh në telefon.

-Që s’më sheh, këtë e di.
Halli është se më sheh ti.

“Punë e shpërblyer”

Një mësues nga Jugu,

10 vjet në veri.

Dërgoi disa here,

letra në n’ministri

Shkuan dhe plot vite,

Mësuesi u lodh

Me hallin e tij

Askush  nuk u mor.

Një ekip kontrolli,

Një ditë aty mb’rriti,

Dhe mësuesi nxënësit

Mire i “pregatiti”.

Çdo pyetje që bënte,

Ata si veriu,

Një përgjigje kthenin,

“Zogu bën ciu ciu.”

Inspektori i nxehur tha:

-Një gjë ta dish ,

Sa tjem unë atje

Ti këtu do rrish.

-Dhe unë,-tha mësuesi,

-Një fjalë pot a them,

Sa tjem unë këtu,

K’ta “ciu ciu” do  bëjnë.

Kandidati

Tre legjislatura,

N’pushtet një patok.

S’ndryshoi gjë prej gjëje

As sot as mot.

Ve­ç kateve tpara

U lëshoi fre,

T’hapim pijetore.

Edhe kafene.

Se populli kohën

S’kish ku ta kalonte,

Ndimen ekonomike

S’kish ku ta shpenzonte.

Kungulli dhe Shalqiri

(Ferit Lamaj)


I flet kungulli një shalqiri:

“Ti I ëmbel, ti i mire,

Pa rri kungull ketë verë;

Mos u piq pra, byrazer!

Mos u piq, më dëgjo mua;

Unë të keqën kurrë sta dua!

Dhe tek ne hyn politika:

Po u skuqe, të prêt thika….”

(Autorja)

I thotë shalqiri kungullit”

-Tungjatjeta byrazer!

Ama, nuk me le te piqem,

Shkova dëm gjithë një verë.

-Bëme punë shumë me mend,

S’qemë për treg, qemë për Kuvend.

Paradoks

Ra në darkë pa një kacile

Kur u zgjua, pronar firme.

-ç’qe gjithë kjo?-pyet gjitoni.

-Paradokse tranzicioni!!!

Drejtori i Mjedisit

Vunë cjapin drejtor mjedisi.

Me passion punën nisi.

Nuk la pemë as gjethe lisi.

E thirrën në Ministri.
-çbëhet kështu more zotëri?

-Vetë me vutë perendi.

Unë punoj ashtu si di.

Mos t’ ju duket aq hata.

Ju e dini se çfare ha.

Kush është Shkurte Mula:
Shkurte Zenel Mula, lindi në Helshan të Hasit në vitin 1955. Arsimin 8-vjeçar e kreu në vendlindje. Më pas në vitin 1974 përfundoi me rezultate të shkëlqyera Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Po atë vit kthehet në vendlindje dhe emërohet si mësuese e edukimit muzikor në shkollën 8-vjeçare “Niman Ferizi”, (sot 9-vjeçare“Sejdi Dida”), në Krumë. Në fëmijëri ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike nga ku është dalluar e vlersuar në shkallë vendi për talentin, sidomos në interpretimin e lartë artistik.
Shkurte Mula, ka dhënë një kontribut të madh në proçesin mësimor, dhe vazhdon të kontribuojë sidomos në evidentimin, mbështetjen e talenteve muzikore, realizimin e koncerteve dhe aktiviteteve artistike në shkallë rrethi e më gjërë.

Në vitin 1987 është dekoruar me medaljen e lartë “Naim Frashëri”.

Shiko edhe nje lajm te mire per Hasin: Festivali Folklorik i Gjirokastrës, Hasi interpreton i Bashkuar

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article