Europianizimi i Ballkanit përmes Tiranë-Beogradit

Ministri i Jashtëm francez dhe një nga arkitektët e Bashkimit Europian, Robert Shuman, në 9 maj 1950 bëri deklaratën e famshme: “Europa nuk do të bëhet menjëherë ose me anë të një plani të vetëm. Do të ndërtohet me arritje konkrete, të cilat krijojnë një...

884 0

Ministri i Jashtëm francez dhe një nga arkitektët e Bashkimit Europian, Robert Shuman, në 9 maj 1950 bëri deklaratën e famshme: “Europa nuk do të bëhet menjëherë ose me anë të një plani të vetëm. Do të ndërtohet me arritje konkrete, të cilat krijojnë një solidaritet ‘de facto’… Qeveria franceze propozon aksione të menjëhershme në fusha të limituara por decizive.” Raporti “Spaak”, që mbante emrin e ministrit belg të asaj periudhe, e çoi një hap më tepër qasjen sektoriale, duke propozuar dhe krijuar tregun e përbashkët. Kështu nisi udhëtimi i gjatë dhe i vështirë europian, që e pati ngjizjen e tij bash në kapërcimin e rivalitetit gjeopolitik franko-gjerman, realitet që kishte prodhuar të paktën katër luftëra të nivelit rajonal dhe botëror në harkun e njëqind viteve. Një “patate e nxehtë” si rajoni i Alsasë-Lorenës, territor francez me popullsi gjermanishtfolëse, u kthye në zonën e bashkëpunimit kryesor energjetik dhe gradualisht çoi në përmirësimin jo vetëm teknologjik dhe tregtar me përfitime të qarta për të dyja vendet, por edhe me ndërveprim kulturor dhe bashkëpunim politik të paprecedentë.

Vizita e fundit e Ramës, përtej debateve të gjata dhe herë-herë të lodhshme që ngjalli, përtej ceneve protokollare të mikpritësve serbë që nuk dolën dot nga guaska e retorikës së brendshme, përtej edhe konsumit politik që prodhoi për qytetarët shqiptarë dhe serbë, synoi të thyente akullin e rreth shtatë dekadave dhe të hapte një dritare të re komunikimi, por edhe bashkëpunimi, gjë që u pa në dakordësimin e lëvizjes me karta identiteti, që ishte arritur më parë me Maqedoninë, Malin e Zi dhe natyrisht Kosovën. Në këtë takim u arrit edhe marrëveshja mjaft me vlerë për heqjen e disa barrierave doganore apo shkëmbimet në fushën e sigurisë dhe inteligjencës për të parandaluar krimin ndërkufitar. Pas vizitës në Luginën e Preshevës, kryeministri deklaroi se ishte arritur dhe marrëveshja aq e rëndësishme e njohjes reciproke të diplomave, gjë që është muzikë për veshët e rinisë së papunë dhe shpesh të diskriminuar të Luginës, një pjesë e konsiderueshme të të cilëve i kanë përfunduar studimet e larta në Tiranë.

Është e vërtetë që fantazma e “Shqipërisë së Madhe” i është bërë Nikoloçit si fantazma e Makbethit. Ndërsa Vuçiç, dukshëm i nervozuar nga presioni i ish-”kolegëve” të partisë radikale, si Sheshejli fondamentalist që po kthehet nga Haga apo Nikoliçi i ndërkryer, realisht u soll hiç më shumë se një “qumështor” politik me gjeste diletante dhe aspak të hijshme, qoftë nga ana protokollare, qoftë etike njerëzore që do i shkonin për shtat një burrë shtetasi. Me luhatje të ndjeshme të humorit, ai nxitoi ta quante provokim deklaratën e Ramës, në vend që ta kalonte me një dozë humori ironik apo indiferencë, ndërsa më pas e ftoi për darkë kryeministrin shqiptar, ndërkohë që ditën pasuese vrapoi te ambasadorët e vendeve perëndimore të denonconte të ashtuquajturin provokim.

Ka disa lloje formash integrimi ekonomik mes dy apo më shumë shtetesh dhe integrimi politik i rajonit duhet domosdoshmërisht të shkojë përmes një integrimi ekonomik. Disa prej këtyre janë zonë e lirë ekonomike, bashkim doganor, treg i përbashkët, bashkim ekonomik dhe një integrim ekonomik i plotë. Në një zonë të lirë ekonomike, hiqen tarifat dhe kufizimet sasiore të llojeve të tjera, të traktatit apo memorandumit përkatës. Ndërsa në rastin e themelimit të një bashkimi doganor, përveç heqjes së diskriminimit në lëvizjen e mallrave mes vendeve nënshkruese, arrihet gjithashtu barazia e tarifave në tregtinë me vendet joanëtare. Një formë edhe më e ngushtë e integrimit ekonomik është ajo e krijimit të një tregu të përbashkët, ku hiqen jo vetëm ndalesat e tregtisë, por edhe barrierat jotregtare mes vendeve nënshkruese. Ndërsa në rastin e një bashkimi ekonomik, diferenca me tregun e përbashkët shtrihet në faktin që kombinon ndalesat e çfarëdolloj në lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Dhe së fundmi, integrimi ekonomik i plotë presupozon unifikimin e politikave fiskale, monetare dhe sociale dhe kërkon ngritjen e një autoriteti mbikombëtar, vendimet e të cilit janë të detyrueshme për shtetet anëtare.

Shqipëria dhe Serbia, pas ballafaqimit të pozicioneve pas dyerve të mbyllura dhe takimeve tete-à-tete, i shprehën hapur qëndrimet e tyre mospajtuese rreth pikës më të nxehtë dhe realitetit më të ri ballkanik, njohjen e Kosovës sovrane, dhe ndërkohë vazhduan të negocionin rreth marrëveshjeve me impakt tregtar, ekonomik, kulturor dhe social. E ardhmja e rajonit do bazohet patjetër në një nga format e sipërpërmendura dhe një nivel integrimi çon paevitueshmërisht në nivelin tjetër. Shqipëria duhet të prezantohet dinjitetshëm në arenën ballkanike, me propozime konkrete, me plane dhe strategji afatgjata zhvillimi, duhet t’i mëshojë mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen pa kompleks inferioriteti, të aktivizojë instrumente, si diplomacinë publike, diplomacinë ekonomike etj., si dhe në vija të përgjithshme të formulojë një politikë të jashtme koherente dhe realiste, të aftë për të prodhuar rezultate konkrete bazuar në objektiv të qartë.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article