Dervish Salihu, Njeriu me aftësi të pashterrshme krijuese

Dervish Salihu u lind në vitin 1821 në Lugishtë të Hasit,  në një familje me traditë pune dhe bujarie. Babai i tij,  Fejzë Rrustë Muçaj ishte një njeri punëtor, i cili punoi zejen e bukëpjekësit dhe gjithmonë me nder u mundua të mbante familjen e...

2039 0

Dervish Salihu u lind në vitin 1821 në Lugishtë të Hasit,  në një familje me traditë pune dhe bujarie. Babai i tij,  Fejzë Rrustë Muçaj ishte një njeri punëtor, i cili punoi zejen e bukëpjekësit dhe gjithmonë me nder u mundua të mbante familjen e të rritte fëmijët. Kur ende s’i kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, Sali Muçaj u detyrua të linte ujin e ftohtë të Shumrizës, bukurinë mahnitëse të shkëmbinjve të Majës së Gurshllimit,  të ajrit të freskët që vinte nga  Ahishta e Madhe[1],  por edhe bukuritë mahnitëse të bjeshkëve të Hasit dhe të shkonte më babain e tij, i cili në atë kohë punonte zejen e bukëpjekësit në Rahovec dhe siguronte ekzistencën e familjes.

 

Njeri me prirje të veçanta mistike

 

Në Rahovec, pranë të atit, Salihu i ri punoi për disa vjet,  por interesimi i tij për dije, kulturë dhe aq më tepër për të njohur thellësitë e misticizmit, ku kishte prirje të veçantë ishin më të theksuara. “Ai ishte i zjarrtë në shpirt. I pajisur me një vitalitet prej malësori dhe me aftësi për gjykime këmbadoras (aty për aty). Sa vie dhe dashurohej në aktivitetin kulturor të dervishëve, të cilët bënin ziqër në teqe. I admironte. Derisa ata luteshin, poeti i ardhshëm e linte derën  dhe dritaren e furrës hapur dhe i ndiqte me vëmendje.  Ajo melodi ia zgjonte ndjenjat, ia kujtonte Pashtrikun e Hasin e Thatë, ia kujtonte meloditë e hedhura me kavall. Si ashik që ishte, nuk e pengonte rruga që e ndante teqen nga furra, të ndiqte me kavall lutjet që thuheshin në ziqër. Thuhet se kështu veproi më shumë se dhjetë vjet.

 

Rruga e tarikatit dhe takimi me Myhlyz Dedjen

 

Një ditë prej ditës interesimin dhe aftësitë e Salihut i kuptoi Shejh Jusufi dhe e thirri në teqe. Salihu i ri e kishte ëndërr të hynte dhe të dëgjonte ato ilahi dhe ziqrat që i bënin dervishët. Ishte hera e parë kur ky djalosh po hynte brenda teqesë, kah e cila më shumë se dhjetë vjet kishte përgjuar dhe i kishte ndjekur me kavall lutjet që thuheshin aty.  Shejhu pasi ia dha disa prova, të cilat për shkencë nuk janë të rëndësishme, konstatoi se ka të bëjë me një person me aftësi të pashterrshme krijuese. Më pas e këshilloi të shkojë në Koçanë të Maqedonisë, ku do të merrte dorë për dervish.  Dervishi dhe poeti i ardhshëm, pa humbur shumë kohë, mori rrugën për në Koçanë. Atje, në një rreth krejt të panjohur, e bleu një konak jo larg teqesë së tarikatitit Kaderi, bashkë me të jatin  ndërtuan furrën dhe filluan punën në zejen e bukëpjekësit. Nuk vonoi dhe si ashik që ishte, furrën e bëri si vend takimi të rinisë. U njoh edhe me shumë dervishë dhe ata e sollën para Shejh Myhlyz Dedjes, një shqiptar i dalluar në atë kohë në jetën kulturore dhe fetare në Koçanë dhe rrethinë. Shejh Myhlyz Dedja, djaloshit hasjan i “dha dorë” për dervish duke ia dhuruar shpatën e Imam Hysenit. Sipas urdhërit të Shejh Myhliz Dedjes, Dervishi u kthye në vendlindje për ta përhapur aktivitetin e vet kulturor dhe tarikatin Kaderi”.[2]

Për Dervish Salihun shejh Myhliz Dedja tani do të jetë mësuesi i dytë, pas mësimeve të para që kishte marrë në Rahovec, ku si autodidakt kishte arritur të mësonte shkrim-leximin në gjuhën turke dhe arabe, punë kjo që dëshmohet edhe nëpër përkthimet e bëra më vonë nga këto gjuhë. Sipas informacioneve që kemi, Dërvish Salihu në vendlindje kthehet rreth vitit 1854, por kësaj radhe jo më si bukëpjekës i zakonshëm, që kthehej dikur për t’u çmallur me vendlindjen, por si Dervish i tarikatit të Kaderive.

 

Teqeja e Dervish Salihut qendër kulturore, fetare dhe atdhetarie

 

Me t’u kthyer në Has ai e ndërtoi Teqenë e vet, e cila do të shërbejë si qendër e aktivitetit kulturor e arsimor në trevën e Hasit”.[3] Roli dhe kontributi i Dervish Salihut dhe i Teqesë së tij do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçmas gjatë kohës së organizimit dhe mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por edhe pas shuarjes së kësaj Lidhjeje, veçmas gjatë viteve të fundshekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Duke pasur të qartë synimin e tij jetësor e kombëtar, Dervish Salihu, me zgjuarsinë, oratorinë, por edhe thjeshtësinë e tij prej njeriu të urtë dhe bamirësi, ishte bërë i dashur për rrethe të gjëra të masave popullore jo vetëm në krahinën e Hasit, por edhe atë të Malësisë së Gjakovës, Rekës së Keqe etj. Por ai “nuk u takonte vetëm masave shqiptare islame. Atë baras e dëshironin midis tyre edhe masat shqiptare të krishtere. Vetëm për disa vjet, me energji të pashtershme, e cila dilte nga shtati i tij, përreth vetes bashkoi me qindra ithtarë. Magjike mund të quhet fjala e tij. Teqeja e tij në Libizhdë[4] sa vije e bëhej qendër kulturore e Hasit të Thatë. Në tarikatin Kaderi, që e kishte sjellë Dervish Salihu nga Koçana e Maqedonisë dhe nga mësuesi i tij shpirtëror, Myhlyz Dedja, u bashkuan me qindra fshatarë nga të gjitha katundet e Hasit, por edhe nga shumë katunde të Malësisë së Gjakovës, të Deçanit, të Drinisë, të Prizrenit, madje edhe të Drenicës Veriore. Argumentet flasin se në vitet ‘70-‘90 të shekullit XIX, në Teqenë e Dervish Salihut u ligjërua vetëm në gjuhën shqipe”.[5] Ai kishte lidhje të ngushta me atdhetarë të shquar të kohës, ndërsa Teqeja e tij ishte shndërruar në një vend të rëndësisë së veçantë jo vetëm për kthimin e besimit dhe të shpresave të humbura të njerëzve të thjeshtë, por edhe për ideologët e Lëvizjeve të rëndësishme kombëtare të asaj kohe. Ai, që nga dita e pranimit, i qëndroi besnik programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Dervish Salihu, ka ndërruar jetë në vitin 1891 në Lugishtë të Hasit, duke lënë pas vete, siç shihet, një veprimtari të bujshme kombëtare, kulturore e fetare. Por, në Teqenë e këtij kolosi të dijes, misticizmit dhe atdhetarisë, asnjëherë nuk u shua aktiviteti dhe fryma e atdhetarisë dhe ajo luajti një rol të rëndësishëm edhe në periudha të tjera të historisë. Dhe kjo fymë atdhetarie u ruajt në saje të ndjekjes së rrugës së vazhdimësisë nga pasardhësit e tij, si Shejh Kadria ( i parë), djali tjetër,  Xhema etj., të cilët do të jenë mjaft aktivë në Kuvendin e Pejës përkrah Bajram Currit e Haxhi Zekës, por edhe të luftëtarëve të tjerë që luftonin për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Prandaj, duke parë rëndësinë e saj në vazhdimësi, ajo ishte cak i goditjeve shkatërruese nga pushtues dhe okupatorë të ndryshëm gjatë luftërave ballkanike dhe në kohën në mes dy luftërave botërore si dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999).

 

Takimi me Bajram Currin te Ura e Taliqëve në Gjakovë

 

Talenti i tij i rrallë për misticizëm bëri që ai të kontribuonte edhe në thurjen e

bejteve, përkatësisht të ilahive, të cilat luajtën po ashtu një rol të fuqishëm, qoftë në aspektin fetar, qoftë në atë kulturor e kombëtar. Këto bejte, apo ilahi, të thurura këtu e njëqind e pesëdhjetë vjet më parë janë aktuale edhe sot  dhe ato dihen përmendësh dhe këndohen jo vetëm nga ithtarët e tij dhe të tarikatit Kaderi, por edhe të tarikateve të tjera.

Se Dervish Salihu kishte një aftësi të jashtëzakonshme në thurjen e bejteve (këmba doras, siç i thonë një fjalë, apo aty për aty) këtë e dëshmon rasti i thurjes së nje bejte para Bajram Currit, atëherë një djalosh i ri, i cili sapo kishte filluar aktivitetin e tij kombëtar dhe luftarak për çlirimin dhe lirinë e tokave të pushtuara shqiptare. Thuhet se me Bajram Currin për herë të parë u takua në Urë të Taliqit, në të dalë nga Gjakova, në vitet nëntëdhjetë të shek. XIX. Ky ishte takim i rastit. Bajrami, me dy-tre përcjellës, po hynte në qytet, kurse Dervishi  plak po dilte në drejtim të Hasit. Bajram Curri, oficer i ri, e kishte veten në huj. E ndali Dervish Salihun me këto fjalë “.  .  .  Ta kam ni zanin se po qet shumë bejte.  .  .  ! Po mos ma qitsh ni kangë ktu (.  .  .  ) nuk t’lshoj.

Dervishi i zgjuar e kishte kuptuar situatën. E kishte shikuar dhe matur mirë me sy. Pasi e kishte kuptuar karakterin e tij, i tha, me një frymë, këto vargje:

 

“Hej dynja, dynjaja e shkret-

Për mymyn koke igjet,

Se shka baj s’e di as vet

Medet ja pir hyrmet ja sheh.  .  .

etj.  , etj.

 

Derisa Dervish Salihu po i thoshte këto vargje, Bajram Curri i qëndronte përpara pa lëvizur. Sa e ka shtyrë frymëzimin, që ia kishte nxitur Curri, Dervish Salihu ngrit krrutën dhe  e godet oficerin e ri. Bajram Curri nuk reagon, por vetëm  qeshë, duke e përqafuar miqësisht. Thuhet se nga ky moment ishte bërë myhyb i Dervish Salihut, përkatësisht i djalit të tij, Shejh Kadrisë, i cili po ashtu u shqua me veprimtari patriotike. Sipas gojëdhënave, thuhet se Dervish Salihu ia falë krrutën, më të cilën e goditi, e të cilën Bajram Curri do ta bart me vete deri në fund të jetës së tij, në mars të vitit 1925, ku vritet pabesisht në Shpellë të Dragobisë.

Bejtja e thurur “enkas” për Bajram Currin, mban titullin “Hej dynja, dynjaja e shkretë”. Siç shihet ajo u krijua në një situatë dhe moment të caktuar. Mesazhi i saj është i qartë. Por bejtet e Dervish Salihut janë të shumta, të cilat në vetë ngërthejnë në vete mesazhe dhe një botë interesante të krijuesit të tyre. Ajo është bota e këtij njeriu, i cili kishte lindur për të krijuar. Aftësinë e tij krijuese e kishte vërejtur, siç u tha edhe më lart edhe Shejh Isufi, por edhe Myhlyz Dedja. Ai kishte një talent të rrallë për krijime të tilla. Ashtu sikurse që u thur bejtja në fjalë do të jenë thurur edhe bejtet e tjera, të cilat u interpretuan në teqenë e Dervish Salihut në Lugishtë të Hasit, por edhe në teqe të tjera të Hasit dhe gjetiu. Ato u kënduan në kohën e Dervish Salihut, por si të tilla u ruajtën pothujase në formën e tyre origjinale dhe u kënduan brez pas brezi, qoftë nga pasardhësit e Dervish Salihut, qoftë edhe nga të tjerët, të cilët ato i kënduan dhe i këndojnë nëpër ceremoni fetare dhe gazmende të ndryshme. U kënduan dhe këndohen edhe sot me shumë pasion, me shumë dashuri dhe përkushtim, ngase në brendinë e tyre ngërthejnë një botë intersante. Botën mistike të njeriut që diti t’i krijojë ato, atëherë kur ai e ndjeu në shpirtin e tij të madh, të mbushur plot dashuri për njeriun e thjeshtë dhe të padjallëzuar, por edhe atëherë kur ndieu shqetësim për padrejtësitë që i bëheshin këtij njeriu të thjeshtë dhe të dashur të Perendisë. Shpërfaqja e botës mistike të Dervish Salihut në bejtet e thurura nga ai, janë një botë më vete, ndërsa kuptimi i tyre ndoshta është i vështirë për t’u deshifruar nga ata që nuk dijnë të përjetojnë atë botë nëpër të cilën diti të ecte dhe të thellohej Dervish Salihu dhe njerëzit e sojit të tij, që mund të lindin shumë rrallë në këtë jetë. Ai ishte një njeri i dërguar nga Perendia për të bërë mrekulli, për të shëruar shpirtrat e trazuar të njerëzve, por edhe për të qortuar të gjithë ata që ndoshta pa vetëdije devijonin rrugën e Perendisë dhe si të tillë bënin mëkate. Rruga jetësore e mistikut të pakapërcyeshëm, të quajtur Dervish Salihu, ishte një rrugë e gjatë, një rrugë përjetësie. Përcaktimi i tij për këtë rrugë ishte i hershëm, sepse ashtu e kishte thënë vetëm Ai që e kishte krijuar. Lindja e tij ishte e natyrshme, por veprimet, puna dhe përkushtimi i tij në rrugën e Zotit ishin ndryshe, ndoshta të mbinatyrshme.

Bejtet e Dervish Salihut, të cilat janë të shumta, deri më tani janë botuar në libra të ndryshëm. Një nga librat më reprezentativë, në të cilin janë prezentuar disa nga ilahitë (bejtet) e Dervish Salihut është ai i Hajdar Salihut me titull “Poezia e bejtexhinjve”, i botuar në vitin 1987 në edicion të Ndërmarrjes Botuese “Rilindja” të Prishtinës, ku autori i kushton një rëndësi të veçantë veprimtarisë kulturore dhe poetike të këtij atdhetari dhe bejtexhiu të fundshekullit të XIX-të. Por këto krijime, të cilat siç u cek edhe më herët, janë prezentuar edhe në libra të tjerë. To janë baotuar edhe nga pasardhësit e tij në Lugishtë të Hasit, si Shej Salihu dhe Shejh Kadria. Botimi i tyre i fundit nën përkujdesjen e Shejh Kadri Muçës më 2009, është një botim shumë i rëndësishëm. Rëndësia e këtij botimi është e karakterit të veçantë, ngase autori i këtij libri, duke qenë një nga pasardhësit e autorit të bejteve të thurura këtu e njëqind vjet më parë, përveç që është njohës, ai është edhe interpretues i mirë i tyre. Prandaj qëllimi i përmbledhjes së krijimeve të Dervish Salihut (ilahive) nga ana e Shejh Kadri Muçës, në këtë formë, është që në mënyrë sa më besnike t’i prezentojë ato para opnionit, para dashamirëve dhe ithtarëve të Teqesë së tij. Bejtet e Dervish Salihut, të prezentuara në këtë libër, do të jenë një udhërrëfyes i fuqishëm për përfaqësuesit e tarikateve në përgjithësi dhe për ata të tarikatit Kaderi, në veçanti.

 

____________________________________

Më poshtë po e botojmë një bejte të Dervish Salihut, shumë karaktersitike, e cila edhe sot këndohet më sëndje dhe madje është bërë edhe këngë. Thuhet se pikërisht këtë bejte ai ia qiti (kushtoi) Bajram Curit në ditën e takimit me të te Ura e Taliqve në Gjakovë:

 

 

Hej dynja dynja e shkretë

 

Hej dynja dynja e shkretë

Për muminë paske qenë izjet

Si t’ia bëj hallin kësaj jete

Medet ja pir hyrmet ja Shejh

 

Shumë u dogja me këto derte

Ymri m’shkoi me myhnete

Si t’ia bëj s’e di as vetë

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Mos e bën veten gjithkush

Me hypë n’kumbull e me lypë rrush

Kqyr se t’sheh e t’flet dikush

Medet ja pir ja hyrmet ja Shejh

 

Mos e bën veten për hajgare

Me hi n’bostan e me lypë arra

Lype vendin tuk gjen çare

Medet ja pir hyrmet ja Shejh

 

Mos e bën veten hariç

Se Shehu për hallk nuk është miftiaq

Qite shpirtin telall haraç

Medet ja pir hyrmet ja Shejh

 

Hu Dervish çka m’je dalldisë

Këto fjalë po na qet halis

Ti mos je nokta i Alis

Sahi mje nokta e Alis

Medet ja Pir hyrmet ja Shejh

 

Mr. Besim MUHADRI

 

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article