Bajram Gecaj: LDK do ta udhëheqë Qeverinë

Kërkesa e LDK-së për ridizajnimin e marrëveshjes, rrjedhimisht edhe marrjen e përgjegjësive për udhëheqjen e Qeverisë, duket se vështirë se do ta gjejë pajtueshmërinë e Ramush Haradinajt. Ai ka shprehur bindjen se ai në Kuvend do të marrë mbështetjen për kryeministër. E në LDK kanë...

819 0

Kërkesa e LDK-së për ridizajnimin e marrëveshjes, rrjedhimisht edhe marrjen e përgjegjësive për udhëheqjen e Qeverisë, duket se vështirë se do ta gjejë pajtueshmërinë e Ramush Haradinajt.

Ai ka shprehur bindjen se ai në Kuvend do të marrë mbështetjen për kryeministër. E në LDK kanë përsëritur qëndrimin se me ridizajnimin e marrëveshjes, përgjegjësia e udhëheqjes së Qeverisë duhet t’i takojë LDK-së.

Nga takimi i liderëve të Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje që u mbajt të premten në mbrëmje, nuk doli ndonjë rezultat konkret rreth kërkesës së LDK-së. Por kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj la të kuptohet se ai do të jetë edhe më tej kandidat për kryeministër.

“Besoj që do ta kem një përkrahje të qëndrueshme në raundin e dytë për ta formuar qeverinë, që nuk është një proces aq i thjeshtë dhe aq i lehtë”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, nuk është Mustafa ai që po kërkon të bëhet kryeministër, por partia e tij, LDK-ja po ndihet e dëmtuar në marrëveshje, sidomos pas heqjes dorë nga synimi për postin e kryeparlamentarit. Andaj, Haradinaj tha se në këtë rast kërkohet një situatë e re. Ai thotë se kjo situatë nuk e cenon nominimi e tij për kryeministër.

Por, Bajram Gecaj nga LDK-ja thotë se deklaratat e Haradinajt përfaqësojnë vetëm AAK-në, ngase LDK-ja ka qëndrimin e saj.

“Atë çka ka thënë kryetari Haradinaj mbrëmë është qëndrimi i subjektit të tij, i AAK-së, ndërsa ne kemi shkuar me qëndrimin e partisë sonë, LDK-së në ato negociata. Këto do të vazhdojnë në këto ditë dhe unë besoj se më së largu javën e ardhshme do të kemi një rezultat dhe do ta ridizajnojmë këtë marrëveshje”, tha Gecaj për Radio Kosovën.

Se çka do të fitojë LDK-ja nga ky ridizajnim, Gecaj thotë se varet nga bisedimet brenda Bllokut, por qëndrimi i LDK-së është i qartë.

“Me rënien e pozicionit të kryeparlamentarit mbetet vetëm një pozitë udhëheqëse në kuadër të kësaj marrëveshje dhe ne jemi duke diskutuar për atë pozitë. Kjo tash është mirë të çështje negociatash, pasi që jemi në proces të negocimit, por qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë me deklaratën që e ka lëshuar kryesia e LDK-së që ne besojmë që si partia më e madhe ne duhet ta udhëheqim Qeverinë”, tha Gecaj.

Ndërkohë, edhe zyrtarë të ndryshëm të AAK-së kanë thënë se pavarësisht kërkesës së LDK-së, AAK-ja nuk do të heq dorë nga posti i kryeministrit, i cili Haradinajt i është besuar nga Blloku që para gati 6 muajsh.

Sidoqoftë, liderët e Bllokut, në takimin që kanë mbajtur mbrëmë në mënyrë të veçantë kanë kërkuar që kryesuesja e seancës Flora Brovina ta thërras vazhdimin e seancës konstituive. Edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson ka bërë thirrje që të thirret seanca, si hap i domosdoshëm për zgjidhjen e ngërçit politik. Por, Brovina ka deklaruar për media se pa një marrëveshjes mes të gjithë liderëve, nuk do ta thërras seancën konstituive.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article