Teqeja e Madhe në Gjakovë Kremton Muajin e Shenjtë të Muharremit

“Këto dhjetë ditë të muajit të shenjtë të Muharremit janë ditë të përkujtimit dhe nderimit për vuajtjet dhe sakrificat e familjes së shenjtë e të madhërueshme profetike të Ehli Bejtit. Kemi kujtuar gjatë këtyre ditëve vuajtjet mbinjerëzore dhe flijimet sublime të të naltit Imam Hysein,...

2531 0

“Këto dhjetë ditë të muajit të shenjtë të Muharremit janë ditë të përkujtimit dhe nderimit për vuajtjet dhe sakrificat e familjes së shenjtë e të madhërueshme profetike të Ehli Bejtit. Kemi kujtuar gjatë këtyre ditëve vuajtjet mbinjerëzore dhe flijimet sublime të të naltit Imam Hysein, familjes së tij dhe 72 dëshmorëve të rënë në fushën e Qerbelasë. Edhe pse kanë kaluar me qindra vite nga ajo ngjarje zemër-përvëluese, ajo do të kujtohet përjetësisht deri në ditën e fundit të kësaj bote”, kumtoi për besimtarët Dervish Faik Doda.

“Bashkë me dëshmorët e rënë në fushën e mjerume të Qerbelasë, ne u lutëm dhe do të lutemi përgjithmonë edhe për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e hartës etnike të atdheut tonë nëpër të gjitha periudhat e historisë”, vijoi ai.

Me këto fjalë nisi lutjen e tij Dervish Faik Doda. Ai dhe mëhybët tjerë në Teqen e Madhe Autoqefale Ballkanike në Gjakovë po shënojnë muajin e shenjtë të Muharremit, muaj në të cilin përkujtohen dëshmorët nga familja e profetit Muhamed të rënë në betejën e Qerbelasë, por gjithashtu edhe të gjithë dëshmorët e tjerë të rënë brez pas brezi në trojet shqiptare.

“E veçantë e Teqes së Madhe Autoqefale në të cilën besojmë ne, është sepse themeluesi i sajë shkëlqesia e tij, Sheh Sylejman Axhiza Baba, është bir i Bushatlive të Shkodrës, pra është i lindur në Shkodër në vitin 1537”, tha Dervish Doda.

“Një fakt tjetër historik që është nëpër arkiva dhe e thonë historianët se vendimet dhe nënshkrimet e krerëve të lidhjes së Prizrenit janë marrë në teqen tonë në Marash. Në atë kohë ka qenë postmbajtës Sheh Hyseni që është babai i heroit të kombit Musa Shehzade”.

Por çfarë në të vërtet përfaqëson muaji i Muharremit? Si shënohet ai nga besimtarët myslimanë të dymbëdhjetë tarikateve.

“Shkëputje nga jeta e përditshme, jo izolim komplet por shkëputje nga disa gjera të cilat në jetën e përditshme janë rutinë, ndryshim në veshmbathje, ndryshim në të ushqyer, kufizim në disa liri personale, lëvizje, ndeja të ndryshme, organizime manifestime e të tjera”, tregon Doda.

Dervish Faik Doda i cili i përket tarikatit Saadi shpjegon për KALLXO.com se në esencë Muaji i Shenjtë i Muharremit nuk ndryshon, por në raste te caktuara praktikat janë të ndryshme mes këtyre dymbëdhjetë tarikateve.

 

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article