Të rinjtë gjatë 2014-ës

Rubrika e përjavshme VOX e Radios Evropa e Lirë, gjatë një viti në fokus ka pasur trajtimin e problemeve të ndryshme më të cilat janë ballafaquar të rinjtë. Materiali i sotëm do t’iu sjell një përmbledhje të zgjedhur të çështjeve për të cilat kanë diskutuar...

3359 0

Rubrika e përjavshme VOX e Radios Evropa e Lirë, gjatë një viti në fokus ka pasur trajtimin e problemeve të ndryshme më të cilat janë ballafaquar të rinjtë. Materiali i sotëm do t’iu sjell një përmbledhje të zgjedhur të çështjeve për të cilat kanë diskutuar të rinjtë.

Papunësia te të rinjtë, ishte një problematik e cila ishte trajtuar gjatë këtij viti. Të rinjtë në Kosovë e kishin shumë të vështirë që të mbaheshin vet financiarisht pa përkrahjen e prindërve. Shumë prej tyre nuk arrinin të gjenin një vend pune. Disa të tjerë studionin, por që të ardhurat mujore që ata i kishin në dispozicion ishin mjaft të ulëta.

Besmir Shala, student në Universitetin e Prishtinës kishte theksuar që për dallim nga shtetet e tjera në Evropë, ku studentët punojnë dhe studiojnë, kjo në Kosovë nuk është e mundur.

“Jam një student dhe jam i varur nga familja shumë, sepse te ne papunësia është e madhe. Çdo student është i varur nga familja se nuk ka kushte. E përfundon shkollën e mesme dhe nuk mund të gjejë një vend pune për t’i mbuluar shpenzimet e studimeve”, shprehet Besmiri.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15 – 24 vjeç. Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

Sistemi arsimor në Kosovë po ashtu ishte një preokupim i të rinjve gjatë vitit 2014. Ata janë ankuar për cilësi të dobët në arsim.

Jeton Latifi, student në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë, kishte thënë se po të ishte në një pozitë të udhëheqësit qeveritar, do të intervenonte urgjentisht për përmirësimin e sistemit arsimor.

“Janë krijuar aq shumë probleme në këto vitet e fundit në Kosovë, sa që është shumë vështirë t’ia gjesh fijet për t’ia nisur për t’i përmirësuar ose rregulluar ato. Por, për mendimin tim, megjithëse nuk jam jurist, e di shumë mirë domethënien e rendit dhe ligjit kur mbizotëron dhe kur nuk mbizotëron në një shtet. Nëse ia fillojmë nga kjo e fundit, e gjejmë Kosovën në këtë gjendje që është tash, ku nuk ka ligj dhe nuk ka rend. Pikërisht, nga këtu duhet nisur e që është themeli i një shteti”, thotë Jetoni.

Problemet e studentëve të cilët ata i kishin theksuar ishin nga më të ndryshmet duke u nisur nga numri i madh i studentëve në fakultete, sallat e vogla, mungesa e profesorëve në ligjërata si dhe komunikimi jo i duhur mes profesorëve dhe studentëve.

Vlora Agushi, e cila kishte përfunduar studimet në Fakultetin Filologjik, Departamenti i Gjuhës Angleze, kishte treguar se në shumë raste gjatë konsultimeve me profesorë, janë ndarë jo mirë me ta.

“Nëse ti ke qenë shumë e sigurt që e ke bërë provimin mirë dhe ke dashur të shkosh në konsultime për të parë punën në provimin tënd, ai nuk të ka lejuar. Ka thënë, ti po dyshon në vlerësimin tim?! Ka ardhur me vonesë në ligjërata. Ne nuk kemi pasur të drejtë të vonohemi, e ata kanë ndodhur janë vonuar gjysmë ore. Nëse një student është vonuar në një ligjëratë, profesori i cili vetë ishte vonuar një ditë më parë, i ka thënë studentit që nuk mund të vish kur të duash në ligjëratë”, shprehet Vlora.

Ndërkohë, edhe në këtë vit ishte një garë e ashpër për zgjedhjen e profesioneve. Disa nga të rinjtë kishin theksuar se janë munduar që përzgjedhjen e profesioneve, ta bëjnë në bazë të kërkesave në tregun e punës.

Shqipërim Danoza, kishte zgjedhur të studiojë Shkencat Kompjuterike në Kolegjin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë.

“Më pëlqen ai drejtim, jo që ma kanë imponuar prindërit apo dikush tjetër, por sipas preferencës sime kam shkuar aty. Më pëlqen shumë ky drejtim. Dëshiroj telekomunikacionin aty. Edhe në këtë drejtim ka konkurrencë të madhe, por me punë duhet të arrihet deri te vendi i punës”, thotë Shqipërimi.

Një problematikë të cilën e kishin theksuar të rinjtë ishte edhe liberalizimi i vizave. Ata kishin theksuar se ndihen të izoluar, pasi që Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza.

Valoni, student i Fakultetit Ekonomik, kishte theksuar se institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e shumë kritereve për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe si të tillë të rinjtë e Kosovës, shton ai, kanë mbetur të izoluar.

“Nuk i kemi plotësuar të gjitha kushtet që të jemi evropianë. Kemi shumë fusha ku duhet të punohet më shumë. Ka rregulla për të qenë pjesë e Evropës, duhet punë”, shton Valoni.

Për këtë çështje viti 2014 nuk solli asnjë lajm të mirë.

Përkundrazi, gjatë këtij viti u shtua numri i migrimeve ilegale dhe azilkërkuesve nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ç’gjë u interpretua si pengesë shumë e madhe për Kosovën që të hyjë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen.

Të rinjtë janë shprehur kundër migrimit të paligjshëm, por, siç kishin theksuar se ata trendi në rritje i kësaj dukurie është pikërisht për shkak të mos perspektivës së të tyre në këtë vend.

Arlind Hyseni, një i ri nga qyteti i Ferizajt, i cili ka përfunduar shkollimin e mesëm, thotë se do ta kishte bërë të njëjtë gjë çfarë kanë bërë këta të gjithë ata që po migrojnë. Kushtet e vështira ekonomike dhe sociale thotë ai, të detyrojnë të ikësh nga vendi.

“Po të njëjtën gjë do ta bëja, sot po të më ofrohej mundësia iki nga vendi. Këtu nuk ka as punë as asgjë, do të kisha ikur për një jetë më të mirë”, shprehet ai.

Ndërkohë, të rinjtë ishin shprehur se nga institucionet e reja të Kosovës presin, luftë kundër korrupsionit, përmirësim të gjendjes ekonomike dhe sociale, vende të reja të punës si dhe ngritjen e cilësisë në arsim

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article