Sofra e poezisë: Dervish Salihu

DERVISH SALIHU Hej dynja dynja e shkretë   Hej dynja dynja e shkretë Për mymyn koke igjet Si t’ia baj hallin kësaj jete Medet ja pir hyrmet ja Sheh   Shumë u dogja me këto derte Ymri m’shkoi me myhnete Si t’ia baj s’e di...

5552 1

DERVISH SALIHU

Hej dynja dynja e shkretë

 

Hej dynja dynja e shkretë

Për mymyn koke igjet

Si t’ia baj hallin kësaj jete

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Shumë u dogja me këto derte

Ymri m’shkoi me myhnete

Si t’ia baj s’e di as vetë

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Mos e ban veten gjithkush

Me hypë n’kumbull e me lypë rrush

Kqyr se t’sheh e t’flet dikush

Medet ja pir ja hyrmet ja Sheh

 

Mos e ban veten për hajgare

Me hi n’bostan e me lypë arra

Lype vendin tuk gjen çare

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Mos e ban veten hariç

Se Shehu për hallk nuk është miftiaq

Qite shpirtin telall haraç

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Hu Dervish çka m’je dalldisë

Këto fjalë po na qet halis

Ti mos je nokta e Alis

Sahi m’je nokta e Alis

Medet ja Pir hyrmet ja Sheh

 

 

Shënime për autorin:

 

DERVISH SALIH MUÇAJ

(1821-1891)

 

Dervish Salih Muçaj u lind në vitin 1821 në Lubizhdë të Hasit, sot quhet Lugishtë.

Është djali i Fejzë Rrustës, i cili tërë jetën punoi si bukëpjekës, kryesisht në Rahovec.

Në Rahovec, pranë babait, u detyrue të shkonte edhe Salihu i ri, për t’i ndihmue babës Fejzë, për t’a mbajtur familjen. Furra, ku ata punonin, ishte pronë e familjes Shehu, afër Teqes së Madhe, të tarikatit Halveti, e cila si pikë kulminante, në veprimtarinë fetare, kishte Ziqrin apo përmendjen e Allahut, përmendjen e Emrave të Bukur të Tij, të shoqëruara me melodi dhe ilahi, që Salihu i ri nga furra i dëgjonte me shumë vëmendja, me simpati, me devotshmëri.

Një ditë, pas afër dhjetë vjetëve dëgjimi, meditimi, Salihu hyri në Teqen e Madhe të Halvetive, ku shërbente Shejh Jusufi, i cili e priti me dashamirësi djaloshin e ri, e kjo ja shtojë edhe më shumë dashurinë për Krijuesin dhe shërbyesit e Tij…Por, shejhu i Teqës së Madhe, shejh Jusufi, halveti, e këshilloi Salihun që të shkojë në Koçanë, Maqedoni, tek Shejh Myhlyz Dedeja, i tarikatit Kadiri, dhe të merrte dorë prej tij…

Kështu, Salih Muça me babën e tij, Fejzën, u shpërngulën nga Rahoveci në Koçanë të Maqedonisë, ku u vendosë pranë Teqesë së Kaderive, e cila kishte udhërrëfyes Shejh Myhlyz Dedenë, i cili ishte një njeri i ditur, i ngritur, i ndritur…

Afër Teqesë së Kadirive, ku banonin, ndërtuan një furrë buke dhe filluan sërish me jetuar me zanatin e moçem, si bukëpjekës, por në kohë të lirë e vizitonte Teqenë e Kadirive, merrte pjesë në ritet e ceremonitë fetare, edukative, arsimore e kulturore…

Aty, në Teqenë e Kadirive, Salihu u dallue si besimtar, ashik i zjarrtë dhe pas sprovave të ndryshme, u gradue me titullin Dervish, u betue se do t’i përkushtohet me devotshmëri Fesë Islame, Rrugës së Ehli Bejtit…përmes Kur’anit dhe Sunnetit…

Pasi u gradue Dervish, prej dorës së Shejh Myhliz Dedesë, Dervish Salihut, Shejhu ia dhuroi një shpatë, si simbol i drejtësisë dhe trimërisë së Imam Huseinit, dhe u urdhërue që tash e tutje t’i përkushtohet si dervish sufi përhapjes së Tarikatit Kadiri…

Dervish Salihu kthehet në vendlindje, në Lubizhdë të Hasit, në vitin 1854, kur ishte në moshën 33 vjeçare dhe aty e themeloi teqenë e tarikatit Kadiri, një nga rrugët apo drejtimet mistike islame, që merret me pastrimin e shpirtit e lartësimin e tij…

Teqeja e re e Kadirive, themeluar nga Dervish Salihu, u bë një qendër, jo vetëm për ceremoni fetare, por edhe një mësonjëtore, ku edukoheshin me frymë shpirtërore, kulturore, u bë një qendër bamirësie, një vatër atdhedashurie…

Dervish Salihu, përveç tjerash, dallohej për një veçori, siç tregohet e dëshmohet, thurrte bejte, ilahi, aty për aty! Kjo dëshmohet, siç tregohet, edhe me ilahin “Hej dynja dynja e shkretë” Si ndodhi kjo?

Te Ura e Taliqit, në Gjakovë, ku lidhen rrugët për mëhallë të Gecës, Mulla Jusufit, Hadumit dhe Mahmud Pashës, Dervish Salihu duke dalë nga Gjakova për të shkue në Has, thuhet se takohet rastësisht me Bajram Currin (1862-1925), i cili ishte me uniformë eficieri, me dy trup-roje, si përcjellës, ndali dervishin plak, e pakëz me rreptësi i tha:

“Dervish, ta kam ni zanin se po qet shumë bejte t’mira…Po mos ma qitsh ni bejte edhe për mu, qitash, ktu, rrugën nuk kam me ta lshu….!

Dervish Salihu plak, plak i urtë, sufi, me maturi, duke e shikue Bajram Currin n’sy, pa një-pa dy, e thurri këtë ilahi, aty-për aty:

 

“ Hej dynja dynja e shkretë

Për mymyn koke igjet

Si t’ia bëj hallin kësaj jete

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Shumë u dogja me këto derte

Ymri m’shkoi me myhnete

Si t’ia bëj s’e di as vetë

Medet ja pir hyrmet ja Sheh

 

Mos e bën veten gjithkush

Me hypë n’kumbull e me lypë rrush

Kqyr se t’sheh e t’flet dikush

Medet ja pir ja hyrmet ja Sheh…“

 

Derisa Dervish Salihu kur po i thoshte këto vargje, Bajram Curri po dëgjonte me vëmendje, pa frymë, qëndronte përpara Dervishit pa lëvizur, i shtangur. Kur Dervish Salihu e përfundoi ilahinë, u ba gati m’i ra shuplakë, por ngriti krrutën dhe i ra Bajram Begut, i cili i buzëqeshi me dashamirësi, e përqafoi me shumë ngrohtësi…dhe nga ky moment Bajram Curri u ba myhyb i tij…!

Ai ka thurrur shumë bejte, ilahi, të cilat u kënduan jo vetëm në kohën e Dervish Salihut, por edhe pas tij, këndohen edhe sot, këndohen madje edhe nga brezi i ri…

Bejtet, ilahitë e Dervish Salihut, të cilat janë të shumta, deri më tani janë botuar nëpër gazeta e revista fetare, por pa u shënuar emri i tij, me qëllim apo pa qëllim, ky është një lëshim, sa mos me thënë një gabim…! Për këtë lëshim apo gabim kam reague, madje disa herë…

Disa prej bejteve, ilahive të Dervish Salihut janë paraqitur në librin me titull:

“Poezia e bejtexhinjve”, botuar në vitin 1987 nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” , që ishte temë magjistrature e shkrimtarit Mr. Hajdar Salihu (1950-1995), nga Batusha e Gjakovës.

Dervish Salihu, ky bejtexhi, i cili la gjurmë në histori, në letërsi, ndrroi jetë, kalojë në jetën e vërtetë, në vitin 1891, aty ku kishte lindur, në Lubizhdë të Hasit, në moshën 70 vjeçare, por edhe mbas një shekulli kujtohet, përmendet, vlerësohet në trojet shqiptare…

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article