Përfundoi festivali tradicional “ Hasi jehon 2015”

Mbrëmë ka rënë perdja e edicionit të 26-të të festivalit tradicional folkorik “ Hasi jehon”. Ky festival që mbahet çdo vit në fillim të muajit maj dhe zgjat për tre ditë rresht, në “ Kodrën e pajtimit” përveç shoqërive kulturo-artistike dhe mysafirëve pjesëmarrës, sërish ka...

1778 0

Mbrëmë ka rënë perdja e edicionit të 26-të të festivalit tradicional folkorik “ Hasi jehon”. Ky festival që mbahet çdo vit në fillim të muajit maj dhe zgjat për tre ditë rresht, në “ Kodrën e pajtimit” përveç shoqërive kulturo-artistike dhe mysafirëve pjesëmarrës, sërish ka tubuar me qindra shikues gjatë 3 netëve. Në mbrëmjen finale, juria profesionale e pati të vështirë për të përzgjedhur më të mirët në këtë eveniment kulturor me pjesëmarrje të trupave artistike nga shumë vise mbarëshqiptare. Sipas jurisë së festivalit, fitues i këtij edicioni është shpallur Ansambli “ Rugova” nga Peja, në vendin e dytë është radhitur SHKA “ Bresana” nga Bresana e Opojës, ndërsa në vendin e tretë sipas jurisë , është përzgjedhur SHKA “ Katarina Josipi” nga Zymi i Hasit.Drejtori i Festivalit, Haziz Hodaj, tha se “edhe këtë vit kemi qenë të fokusuar që festivali të jetë i përqendruar në ruajtjen e traditës dhe kulturës sonë, dhe jemi angazhuar maksimalisht duke bërë përpjekje që këto vlera të barten te brezat e rinj”, theksoi ai.Kryetari i jurisë profesionale, etnologu Ukë Xhema,tha se ky festival edhe një herë dëshmoi se trupa të ndryshme artistike përmes paraqitjeve në skenë me mjaft dinjitet po i ruajnë dhe kultivojnë vlerat shpirtërore, kulturore e tradicionale të trashëgimisë sonë të pasur kulturore. SHKA “ Bresana” nga Bresana e Opojës, gjithmonë ndodhet në mesin e tre organizmave artistik të cilët nderohen me mirënjohje për paraqitje në skenë, përmes shpalosjes së vlerave tradicionale të zonës së vet. Kryetari i kësaj SHKA-je, Fesal Shaqiri, thotë se puna e mirëfilltë që bëhet në këtë organizëm kulturor, po vlerësohet kudo nëpër festivale ku marrim pjesë, përfshirë edhe Festivalin “ Hasi jehon”.Valltarja më e mirë e festivalit është përzgjedhur, Fazile Greiçevci, nga SHKA “ Xhavit Haziri” nga Obiliqi. Ajo tha se ndjehet e lumtur për çmimin e fituar, dhe shtoi se e gëzon fakti që shumë të rinj me mjaft sukses po e ruajnë traditën dhe kulturën përmes pjesëmarrjes në shoqëri kulturo-artistike. Gjithashtu në këtë festival, me mirënjohje dhe shpërblime janë nderuar edhe pjesëmarrës të tjerë, si dhe janë ndarë edhe çmimet “ Jehona e Hasit” për personalitete që e mbajtën gjallë për dekada me radhë këtë Festival si : Hasan Feka, Frrok Kristaj dhe Muhamet Lushaj…

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article