Ngërçi politik ka shuar 1600 biznese

Kushtet e pafavorshme për të bërë biznes, kamatat e larta për kredi dhe ngërçi politik që gjatë këtij viti ka zgjatur gjashtë muaj, janë vetëm disa nga arsyet që kanë bërë që shumë biznese në Kosovë të shuajnë veprimtarinë e tyre, pohojnë përfaqësues të komunitetit...

1014 0

Kushtet e pafavorshme për të bërë biznes, kamatat e larta për kredi dhe ngërçi politik që gjatë këtij viti ka zgjatur gjashtë muaj, janë vetëm disa nga arsyet që kanë bërë që shumë biznese në Kosovë të shuajnë veprimtarinë e tyre, pohojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se 1580 biznese në këtë vit janë shuar në mënyrë vullnetare, për derisa vitin e kaluar janë shuar afër 1200 biznese.

Lidhur më shuarjen e bizneseve, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pohon se viti 2014 ka qenë një ndër vitet më të vështira për të bërë biznes.

E gjithë kjo, sipas tij duhet të analizohet në dimensione të ndryshme ;e para është dimensioni politik , ku vërtet vakuumi institucional gjashtë mujor i ka dhënë efektet e veta negative në ekonominë, dhe dyta ka munguar një përkushtim për zhvillim ekonomik që të përcaktohet si prioritet i prioriteteve.

“E tëra kjo e dëshmon më se miri se ambienti biznesor është vërtet i pa favorshëm dhe mbi të gjitha, kjo shuarja e bizneseve, duhet të analizohet nga kontacioni social”.

“Në qoftë se kemi në mënyrë permanente një mbyllje të tillë është utopike të mendohet se do të kemi krijim të vendeve të reja të punës, është e pamundur që të mendohet se do të kemi investim në prodhim. Dhe është e pamundur që do të përmirësojmë indikatorin kyç që është përmirësimi i bilancit të pagesave“. vlerëson Gërxahliu.

Edhe eksperti për çështje ekonomike Flamur Keqa, thotë se pavarësisht faktit se në Kosovë ekzistojnë shumë ministri dhe shumë institucione që merren më çështje ekonomike,mbështetja e sektorit privat nuk ka qenë prioritet për to.

Edhe Flamur Keqa, nuk e mohon faktin se edhe mos funksionimi i institucioneve qeveritare për gjashtë muaj të ndikojë në mbylljen e bizneseve në Kosovë.

“Ambienti jo i favorshëm, ka krijuar rrethana që shumë biznese për kundër dëshirës dhe objektivave të tyre për tu shndërruar në biznese të qëndrueshme dhe afat gjate të vijnë të mbyllin firmat e tyre.

“Kjo figurë tregon se institucionet qeveritare kanë bërë pak ose aspak në drejtim të favorizimit dhe mbështetjeve të bizneseve të reja në Kosovë”, tha Keqa për Radion Evropa e Lirë.

Falimentimin e afër 1600 bizneseve për një vit, Gërxhaliu e quan fakt shqetësues pasi kjo mund të ndikojë edhe në mos interesimin e investitorëve ndërkombëtar për të investuar në Kosovë.

“Krejt kësaj kur i shtohet edhe fakti se në qoftë se brenda një viti, kemi një tkurrje të tillë të biznesit, çfarë qenka interesimi i investitorëve të huaj të investojnë në Kosovë”.

“Kur dihet se për bizneset vendore nuk ka një ambient të volitshëm, vërtet është një brengë që duhet të na shqetësojë . Është një brengë që duhet të adresohet tek institucionet relevante që duhet të merren më ekonomi”, tha Gërxhaliu.

Falimentimi i bizneseve, sipas ekspertëve të ekonomisë ka edhe pasoja të mëdha për ekonominë pasi rritë numrin e të papunëve, rrjedhimisht edhe shkallën e varfërisë.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article