Janë të rrallë ata që kalojnë për herë të parë nëpër shiritin e rrugës së asfaltuar, që lidh fshatrat e Hasit me Prizrenin dhe Gjakovën, e që diku në mes të këtij boshti rrugor, të mos e vërejnë “Mullirin me Ujë” të Kushninit, që ruan karakteristikat e ndërtimit të vjetër me gurë e të mbuluar me rrasa, aty skaj rrugës. Në anën e majtë të kilometrit 27 të rrugës Prizren-Gjakovë që kalon nëpër Has, teksa ofrohesh jashtë dëgjon zhurmën e rrjedhës së ujit, ndërsa nga brendia vjen ritmi i “çakalleve” të cilat i rrah rrotullimi i gurit, që bluan drithin.
Mënyra e ndërtimit të tij është unike, pasi ai punon nga uji që rrjedh nga burimi poshtë malit Pashtrik. Mulliri ndodhet tek përfundon gryka e rrjedhës së dy gurrave, asaj fshatit Kushnin dhe Kabash, bashkohen mes vete, ndërsa rënia e ujit përmes lugjesh vë në lëvizje gurin i cili pastaj misrin e shndërron në miell. Bluarja ende vazhdon në mënyrë tradicionale, ndërsa edhe disa pjesë si gurët e lugjet kanë mbetur të vjetra.
“Mulliri me Ujë”, siç njihet nga banorët, tashmë ka disa hisedarë të familjes Shatri, ndërsa thuhet të jetë ndërtuar rreth 300 vjet më parë. Selman Shatri, plaku që tashmë punon se bashku me djalin e tij, thotë se ai di për trashëgimtar deri në pesë breza, derisa si pronarët e parë ka dëgjuar të kenë qenë familja e Dull Musajve të Morinës, të cilët nga bjeshkët e Kushninit të Shkretë, në Pashtrik kishin zbritur poshtë në fshat, ku gjenden edhe tash.
“I pari nga familja jonë ka qenë Din Avdyli. Tashmë jemi disa hisedarë, por pas vdekjes së vëllait Rexhepit, që ka punuar më gjatë, askush më nuk është i interesuar më të punojë në mulli, kështu që kam mbetur vetëm me djalin”, tha ai për “Zërin”.
Në mulli janë dy gurë të cilët ende bluajnë misër. Shatri tregon gurët janë harxhuar pak, por ata punojnë dhe herë pas here i duhet t’i presë e cokat për të bluar.
Ai tregon se mulliri ka punuar pa ndërprerë, ndërsa njerëzit kanë pritur deri në dy javë në rend për të bluar. Mullisi, një burrë afër të 80-ve thotë se tashmë klientët janë jo vetëm nga rajoni i Hasit, por edhe nga ai i Gjakovës e Rahovecit. “Gjithnjë e më shumë po rriten kërkesat për të bluar për bukë misri, që sipas mjekëve po bëhet më e shëndetshme në kushtet aktuale”, tregon Shatri, duke shtuar se tashmë punon vetëm gjatë ditës, ndërsa bluan 200 deri në 300 kilogramë varësisht nga sasia e ujit që sjell lumi.
Pensionisti Gjafer Hamza, thotë se herë pas here shkon në mulli, pasi i pëlqen mielli i bluar në mënyrë natyrale dhe buka e misrit, të cilën e preferon shumë, pasi nuk përmban asnjë preparat kimik, të cilat janë të dëmshme për organizimin. “Prindërit tanë kanë ngrënë kryesisht bukë misri dhe kanë jetuar pa ndonjë ankesë nga lukthi, ndërsa tashmë po shoh disa të rinj që përdorin tableta kundër dhimbjeve në bark, që mendohet se janë shkak edhe i bukës që hamë sot”, shprehet ai teksa tregon se edhe vet është vital.
Në mungesë të ujit mulliri bën punë sezonale. Verës nis punën në muajin nëntor, ndërsa varësisht nga reshjet punon deri në qershor.
Pavarësisht që është një nga objektet e rralla jo vetëm të kësaj natyre, por edhe nga ndërtimi krejtësisht me gurë, që paraqet diçka të rrallë për kohën, deri tash ka munguar përkujdesja institucionale.
Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren që ushtron përgjegjësitë në kuadër të MKRS-së, ka thënë për “Zërin” se mundësitë buxhetore kanë diktuar klasifikimin e prioriteteve, ndërsa këtë vit është riparuar “Mulliri i Tabakhanes” në Prizren. “Për këtë vit kemi hartuar një numër projekt-propozimesh për masat preventive, të cilat janë paraparë si ndërhyrje emergjente në disa objektet të trashëgimisë e ndër to është edhe Mulliri i Rexhep Shatrit në fshatin Kushnin”, ka thënë ai, teksa ka treguar se e tëra varet nga buxheti.
Mullisi Shatri tregon ndërkaq se për shkak të dëmtimit, verën që shkoi i është dashur të ndërhyjë me mjetet vetanake për ta riparuar kulmin dhe derën, ndërsa më të nevojshëm po ashtu ka rregullimin e kulmit dhe të lugjeve të ujit.
Mulliri thonë se ka shërbyer shumë jo vetëm për banorët e kësaj ane, por edhe për luftëtarë, përfshirë edhe ata partizanë e ballistë, si dhe së kohën e fundit edhe për ata të UÇK-së.
Mulliri i Kushninit vizitohet edhe nga të huaj e vendas. Përveç nga Kosova, ka vizitorë edhe nga Gjermania e vende të tjera, disa prej të cilëve janë me mision në vendin tonë.
Në mulli ndodhet edhe dhoma e mysafirëve, e njohur si Oda e zjarrit. Në rrjedhën e lumit Dështica të Hasit, ku derdhet uji i gurrave të fshatit Kushnin, Kabash dhe Demjan ishte edhe Mulliri i Xharrës në fshatin Ramajë, por në mungesë të përkujdesjes së shtetit, vite më parë ai është shkatërruar. Kronik nga Zëri.info
Nje tjeter lajm per Hasin gjindet këtu Jackobson dhe Engel festojnë pavarësinë e Amerikës në Teqenë e Rahovecit
Ketu mund te Komentoni!
In this article
- Ballina
- Lajme
- “Mulliri me Ujë”
- askush më nuk është i interesuar më të punojë në mulli
- derisa si pronarët e parë ka dëgjuar të kenë qenë familja e Dull Musajve të Morinës
- kështu që kam mbetur vetëm me djalin”
- ku gjenden edhe tash. “I pari nga familja jonë ka qenë Din Avdyli. Tashmë jemi disa hisedarë
- Mulliri shekullor i Hasit
- ndërsa thuhet të jetë ndërtuar rreth 300 vjet më parë. Selman Shatri
- në Pashtrik kishin zbritur poshtë në fshat
- plaku që tashmë punon se bashku me djalin e tij
- por ata punojnë dhe herë pas here i duhet t’i presë e cokat për të bluar.
- por pas vdekjes së vëllait Rexhepit
- që ka punuar më gjatë
- siç njihet nga banorët
- tashmë ka disa hisedarë të familjes Shatri
- të cilët nga bjeshkët e Kushninit të Shkretë
- tha ai për “Zërin”. Në mulli janë dy gurë të cilët ende bluajnë misër. Shatri tregon gurët janë harxhuar pak
- thotë se ai di për trashëgimtar deri në pesë breza