Deputetja më e vjetër, njëherësh kryesuese e Kuvendit deri në zgjedhjen e Kryeparlamentarit, Flora Brovina, thotë së nuk po ndjehet mirë që nuk po mund ta thërret vazhdimin e seancës.
Brovina ka përsëritur se pa marrëveshje të liderëve të partive, duke përfshirë këtu edhe shefin e saj, Hashim Thaçin, nuk do të ketë seancë.
“Është tepruar që nuk po vazhdon seanca. Nuk ndihem mirë që s’po kam mundësi ta thërras. Po shihet atmosfera e liderëve që nuk po merren vesh mes vete, dhe pa një marrëveshje mes tyre nuk po ka zgjidhje”, ka thënë Brovina për Zërin.
Ndërsa, deklarata e ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobsson për thirrje sa më shpejt të vazhdimit të seancës konstituive, për Brovinën, është apel i pranueshëm.
Por, kryesuesja e Kuvendit shpreson që javën e ardhshme do të ketë lëvizje të mira.
“Besoj që javën e ardhshme do të qetësohet kjo atmosferë e këtyre debateve të stërzgjatura”, ka thënë Brovina