Baba Pashtrik. Njeriu me tri varre

Njëri ndër udhëtimet midis misticizmit dhe besimit tanimë në tri pika, si forma të veçanta, është pikërisht pelegrinazhi për te varri i Sari Salltëkut në majën e Pashtrikut në Kosovë, në Teqenë e Sari Salltëkut, që ndodhet në malin mbi Krujë dhe te Qafa e...

1915 1

Njëri ndër udhëtimet midis misticizmit dhe besimit tanimë në tri pika, si forma të veçanta, është pikërisht pelegrinazhi për te varri i Sari Salltëkut në majën e Pashtrikut në Kosovë, në Teqenë e Sari Salltëkut, që ndodhet në malin mbi Krujë dhe te Qafa e Zhurit, por që nuk e ka këtë emër.

Për vendbesimin dhe pelegrinazhin në kërkim të gjetjes së qetësisë shpirtërore dhe të një fati më të mirë për trashëgimtar flet edhe dr. Nexhat Çoçaj, ekspert i trashëgimisë për rajonin e Hasit.

Nderimi i figurës së Sari Salltëk Babës

“Pelegrinazhi filloi nga 1 gushti i sivjetmë te vendpushimi i shenjtë i Shkëlqesisë së Tij, Sari Salltëk Babës, në Malin e Pashtrikut, që shënon 400-vjetorin qysh kur ky vend është vendosur nën përkujdesjen (mbikëqyrjen) e Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, me seli në Gjakovë e Prizren”, thotë Çoçaj.

Ai thotë se ky pelegrinazh trejavor, që ka nisur më 1 dhe përfundon më 21 gusht të secilit vit, i përkushtohet nderimit të figurës së shenjtorit, Shkëlqesisë së Tij, Sari Salltëk Babës.

“Vend-pelegrinazhi i Pashtrikut kalon nën përkujdesjen e Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike 400 vjet më parë, pikërisht në gushtin e vitit 1614, nën udhëheqjen e misionarit të parë dhe më të shquar të Tarikatit Saadi në Ballkan dhe Evropë, Postmbajtësit të parë të Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, Hirësisë së Tij, Sheh Sulejman Axhiza Babës”, thotë Çoçaj dhe shton se në këtë mision, 400 vjet më parë, në këtë vend dha jetën Shkëlqesia e Tij, flamurmbajtësi i Sheh Sulejman Axhiza Ababës, Baba Ahmet – Sanxhaktari, ndërsa në gusht të vitit 2006, rreth katër shekuj më vonë, po aty ranë edhe dy dervishë të Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, Dervish Sadik Luma dhe Dervish Ismet Morina.

“Në prag të jubileut të 400-të të pelegrinazhit të Pashtrikut, Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike i kujton me respekt figurat madhore të saj, dervishët që shërbyen në këtë petk dhe në këtë mision, dhe bën homazh për tre dervishët e rënë, flamurtarin e Hirësisë së Tij, Sheh Sulejman Axhiza Babës, Baba Ahmet-Sanxhaktarin, që ra para katër shekujsh aty, dhe dy dervishët e rënë para tetë vjetësh, të vrarë mizorisht dhe në rrethana të panjohura, në po të njëjtën vend, Dervish Sadik Luma dhe Dervish Ismet Morina”, shpjegon Sheh Musa Shehu, postmbajtës i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, Gjakovë-Prizren.

Teqeja e Sari Salltëkut në Krujë

Eksperti i trashëgimisë dr. Çoçaj, shpjegon se më 1 gusht të këtij viti ka vizituar edhe Teqenë e Sari Salltëkut në Krujë.

“Udhëtimi për në malin e Skënderbeut, ose siç njihet nga vendasit, mali i Krujës, që është i lartë 1176 metra dhe në majë të tij është dhe vendi i shenjtë i Sari Salltëkut. Mali i Krujës përfshin dy komponentë, që ia vlejnë për t’i vizituar, duke nisur me selinë e Sari Salltëkut në majë të malit, po ashtu me teqenë e “Haxhi Shajnit”, një objekt i shenjtë i fesë bektashiane, ose siç quhet ndryshe dhe “gjurma e të shenjtit”, që ndodhet para se të hysh në Krujë”, thotë Çoçaj dhe shton se pas “gjurmës së të shenjtit” shkojnë edhe besimtarë të fesë bektashiane, po ashtu edhe njerëz të tjerë që nuk i përkasin këtij besimi.

Ky objekt është ndërtuar këtu e 500 vjet më parë.

“Në brendësi të teqesë, ndodhet dhe “gjurma e të shenjtit”, pra gjurma e parë e Sari Salltëkut, në ikje e sipër. Është një gjurmë që krutanët e ruajnë me fanatizëm. Sari Salltëku, ky shenjtor i madh, gjurmën e dytë të tij e ka lënë në Korfuz, ku edhe atje ka një teqe të tilla dhe në atë vend është dhe varri i shenjtë. Sari Salltëku ka ardhur në Krujë në mesin e viteve 1300. Ai përhapi bektashizmin e kulluar duke parandier ndoshta vorbullën e mërive etnike në Ballkanin e trazuar”, thotë Çoçaj.

Varri i Salltëk Babës konsiderohet si i shenjtë

Kur jemi te toponimi i malit Pashtrik medoemos duhet të themi se për këtë toponim në popull gjallojnë shumë gojëdhëna, që lidhen me emrin e këtij mali.

Këto gojëdhëna lidhen me emrin Sari Salltëk Babës, varri i të cilit misionar të fesë islame në Evropë, gjendet në pikën më të lartë të Pashtrikut, 1998 metra.

Në popull, te varri i Sari Salltik Babës, që vizitohet për çdo vit më 14 gusht, bëhen nderime dhe homazhe. Pelegrinazhi në Pashtrik ka vazhduar edhe në kohën e komunizmit dhe ka qenë një festë gjithëpopullore.

“Varri i Salltëk Babës që në gjithë Hasin këtej në Kosovë dhe në Shqipëri respektohet si një i shenjtë i nderuar i Dershilerëve. Atje tashmë është vetëm varri i Sari Salltëk Babës dhe që në të gjitha kohët dhe rrethanat ai varr është çmuar e respektuar. Hasjanët atje shkojnë pas martesave të tyre, e kur Zoti nuk i gëzon me fëmijë atje shkohet për pelegrinazh dhe nga atje thuhet se fillon mbarësia dhe në të shumtën e rasteve nuset e reja pastaj mbeten me barrë, siç thuhet, sepse Zoti i ndihmon që pasardhësit të gëzojnë botën”, shpjegon Çoçaj.

Pelegrinazhi për në majën e Pashtrikut, në të vërtetë për hasjanët ka një ndjenjë të lartë shpirtërore, sepse ai pastaj shpjegon se po të mos niseshin për atë pelegrinazh në majën ku është varri i Sari Salltëk Babës, tregojnë se shumë vështirë shihet ose nuk mund të shkohet fare, sidomos nga femrat, por në momentin kur njeriu vendos të bëjë këtë pelegrinazh, atëherë ndien lehtësi trupore dhe shpirtërore.

Çoçaj shpjegon edhe ritin e atjeshëm ku kryesisht prehet ndonjë kurban, qengj, dhe pastaj ndahet më të gjithë pelegrinazhistët e atjeshëm, pastaj zihet hallvë dhe kjo tregon mirëkuptimin njerëzor.

“Kjo bëhet për të lindur nusja që deri atëherë nuk ka lindur”, thotë Çoçaj.

Kurse për figurën e Sari Salltik Babës njësoj flet si në Krujë si në Kospvë dhe kudo që ka shqiptar.

Një varr i tillë është edhe te Qafa e Zhurit që vendasit e quajnë dhe e konsiderojnë si tyrbe të Salltikut, por ekspertë, besimtarë e fetarë për të nuk flasin e nuk dokumentojnë ndonjë dëshmi

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article