“Abetarja e Zymit” një dorëshkrim i lashtë me shumë vlerë

“Abetarja e Zymit” në dorëshkrim, gjetur në Prizren më 20 maj 1900 e dhuruar prof. Luigj Shala, e që ruhet në arkivin shtetëror të Shqipërisë në Tiranë, është botuar ditën e Pashkëve të këtij viti nga Kisha famullitare e të ‘Ngjiturit të Zojës së Bekuar...

1952 0

“Abetarja e Zymit” në dorëshkrim, gjetur në Prizren më 20 maj 1900 e dhuruar prof. Luigj Shala, e që ruhet në arkivin shtetëror të Shqipërisë në Tiranë, është botuar ditën e Pashkëve të këtij viti nga Kisha famullitare e të ‘Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell’ e fshatit Zym, rrethit të Prizrenit, nën kujdesin e famullitarit dom Ndue Ballabanit e gazetarit Frrok Kristaj.
“Abetarja e Zymit” është një vepër e rëndësishme për gjuhën e letërsinë shqipe, një dëshmi e kultivimit dhe e përforcimit të identitetit e të orientimit të udhës drejt një të ardhme sa më të mirë të mundshme për popullin e trojet shqiptare, në mënyrë të veçantë kur kemi parasysh rrethanat tejet të rënda të periudhës kur, sipas gjasave, është shkruar ‘Abetarja e Zymit’, ajo e sundimit otoman në trevat shqiptare. Kjo vepër pra, që lidhet me një të kaluar tejet të vështirë të popullit shqiptar, paraqet një interes të veçantë për gjuhën shqipe, ka 80 faqe të përmasave të zakonshme, por mungojnë faqet e para, këndej nuk dihet autori, ka një shënimin me dorë, Zym, 20 maj 1900. Në vijim po radhisim disa artikujt shkruar mbi ‘Abetaren e Zymit’ në media

Abetarja e Zymit të Hasit – 110 vite Histori!
(20 maj 1900-2010)
Frrok Kristaj
Historia e abetareve te shqiptarët da ton qysh nga viti 1844, atëherë kur Naum Veqilharxhi e kishte botuar “Ëvetarin shqip…”. Që atëherë e deri më sot janë shtypur më se 150 abetare në trevat shqiptare dhe jashtë tyre.
Ririndja Kombetare:
Abetaret tona qenë armë nga më të fuqishmet dhe nga më të efektshmet për të shkëputur arsimin tonë nga varësia e shkollave të huaja. Me përmbajtjen e tyre ato ndikuan fuqishëm në edukimin e brezave të tërë me ndjenjat më të larta atdhetare. Por abetaret do t’i kishin shtigjet të zëna, në qoftë se nuk do të ishin mbrojtur me armë nga luftëtarët shqiptarë. Nga kjo del se abetaren shqipe e ruajti pushka. Pushka i jepte forcë abetares – abetarja i jepte krismë pushkës. Shumica e autorëve të abetareve shqipe qenë pedagogë e luftëtarë, shkencëtarë, veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare dhe organizatorë të arsimit.
Një pjesë e tyre ranë dëshmorë për idealet që kishin për çlirim kombëtar, për të mbijetuarit e gjuhës shqipe. Ata me dijet e përvojën e tyre krijuan një traditë, vunë themelet në disa metoda të lexim-shkrimit të gjuhës sonë, duke krijuar në brezni të tëra kënaqësinë e përvetësimit të shprehive të leximit dhe të shkrimit të gjuhës amtare, duke vënë në duart e qindramijëra të fëmijëve shqiptarë, si në Shkodër, Tiranë, Korçë, Vlorë, në Zym të Hasit, Prizren, Prishtinë, Çamëri, Dibër, Shkup, Manastir e Kumanovë, në Hot, Grudë, Ulqin e Tivar, në Preshevë, Bujanovc, por edhe jashtë viseve etenike shqiptare, si në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Athinë, Napoli, Bruksel, Paris, Worçester, Kajro, Aleksandri, e gjetiu.
Gjatë historisë Abetarja shqipe u vu në listat e zeza të botimeve të ndaluara. Ajo u luftua nga pushtuesit, nga injorantët, fanatikët, antishqiptarët e kështu me radhë. Por prapëseprapë ky libër i mësimit të gjuhës shqipe mbijetoi. Për të mbajtur gjallë e të freskët abetaren shqipe u derdhë mund, djersë e intelekt nga penat më të fuqishme të kohës, si N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, D. Boriçi, S. Frashëri, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Vasa, A. Kullurioti, L. Gurakuqi, P. Qiriazi, N. Lako, S. Shuteriqi, A. Xhuvani, N. Paluca, Th. Papapano, J. Minga, M. Logoreci, G. Beltoja, L. Skendo, L. Lumezi etj. e deri më të rinjtë si Q. Guranjaku, K. Xhumari, Q. Batalli, M. Gjevori, Gj. Gjokaj, Xh. Gega etj.
Abetarja e Zymit:
Sipas Shefik Osmanit, del se në Arkivin Qendror të Republikës së Shqipërisë (Kolekcioni i fondit personal i Jakut të Tushit Mark Krajës, alias Jak Specit, Dosja numër 163, ekziston “ABETARJA E ZYMIT, 20 maj 1900”, që ka 80 faqe, por që i mungojnë kopertinat). Supozohet se kjo Abetare është litografuar (shtypur) pikërisht në Zym dhe se autor i saj mendohet të ketë qenë Lazër Lumezi (në këtë Abetare në vend të fjalës mësues përdorët fjala shkollar, që është shumë e përafërt me atë se Lazër Lumezi ishte autor, pasi që ai njihej edhe si Lazër – shkollari), përkatësisht Mati Logoreci apo Dedë Pasi.
Abetarja e Zymit nuk e ka të shënuar emrin e autorit apo shtëpinë botuese, që mund të jetë edhe ajo se në atë kohë tekstet e tilla në gjuhën shqipe ishin të ndaluara, ndaj për t’iu shmangur ndjekjeve të pushtuesit dhe ndjekjeve kishtare të sllavëve apo grekëve, shpesh autorët vinin sigla të ndryshme ose pranonin të mbetnin anonimë, se ata ishin të kënaqur se ia arrinin qëllimit të caktuar.
Në kohën para dhe pas përdorimit të kësaj Abetare në Zym kishin shërbyer në detyrën e mësuesit në radhë të parë meshtarët: Shtjefën Krasniqi, Pjetër Battisti, Pjetër Pecolli (zymjanë), Franë Koliqi, pastaj mendohet se në Zym të ketë qenë mësues edhe Lazër Lumezi, po ashtu nga Hasi.
Përndyshe, Abetarja e Zymit është e hartuar me alfabetin e Stambollit, pra me një gjuhë të vështirë e të vjetër të veriorëve dhe se alfabeti i saj nuk është gjithaq praktik për mësimin e gjuhës shqipe. Megjithatë, ky alfabet në këtë Abetare ka 33 shkronja dhe se shkronja Ë nuk përfaqësohet fare, pastaj për Q përdorët C, si dhe përdorët vetëm një Q (pra edhe për Ç), përkatësisht një GJ (edhe për XH) – gami për xhami, që në pjesët veriore të viseve shqiptare, edhe ashtu pak apo aspak në të shqiptuar e të folur nuk hetohen dy tinguj për këto shkronja, e kështu me radhë. Sido që të jetë, Abetarja e Zymit i ruan vlerat e saj historiko-arsimore e gjuhësore, për rolin që luajti në Zym, përkatësisht në rajonin e Hasit, për shkrimin e leximin e gjuhës shqipe, sepse ajo i ka vlerat e veta pedagogjike e historike.
Ajo paraqet një dëshmi të qartë për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe në kushtet e pushtimit osman në periudhën pas Lidhjes së Prizrenit e në prag të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për frymën patriotike që kishte procesi mësimor dhe tekstet e përgatitura nga kuadrot vendore, e sidomos ata që njëherësh ishin meshtarë, por që edhe e mbanin gjallë shkollën dhe gjuhën shqipe në Zym të Hasit të Thatë dhe më gjerë.
*****
Një abetare e rrallë më shumë se 100-vjeçare

Nga:
Prof. dr. TOMOR OSMANI
Botimi i trashëgimisë kulturore ka vlerë të veçantë për historinë e kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar. Këto vepra që lidhen me një të kaluare të largët, pak ose aspak të njohur, paraqesin interes për atë fushë dijeje që i përkasin.
Vite më parë prof.dr. Shefik Osmani na bëri të njohur përmes një artikulli të botuar, më 31 mars 1982 në gazetën “Mësuesi”, me titull “Abetarja e Zymit”, se në Arkivin e Shtetit ruhet një abetare e vjetër e shaptilografuar. Autori jep për herë të parë të dhëna për këtë abetare, e cila kishte 80 faqe të përmasave të zakonshme, pa autorësi, por vetëm me shënimin me dorë, Zym, 20 maj 1900. Gjithashtu ndalet në përshkrimin dhe vlerat e kësaj vepre.
Kjo abetare, me kalimin e viteve, tërhoqi vëmendjen edhe të studiuesve të tjerë dhe të mësuesve, duke botuar shkrime ose duke referuar në konferenca shkencore si në Zagreb (2008), Prishtinë (2010), Zym (2010) etj. Kjo vepër zgjoi edhe interesin e Famullisë së të Ngriturit të Shën Mërisë në Qiell Zym- Has, e cila pak ditë më parë, bëri një botim luksi anastatik të kësaj vepre me titull “Abetarja e Zymit” (20 maj 1900), Zym – Has, 2013..
Fundi i shekullit XIX dhe shekulli XX do të karakterizohen nga përpjekjet e patriotëve shqiptarë për lëvrimin e gjuhës shqipe. Në rrethanat e sundimit osman kjo abetare ka vlerë, si një ndër abetaret e para të shqipes në Kosovë. Në këtë periudhë ishte e domosdoshme hartimi i ndonjë teksti mësimor, e në radhë të parë i abetareve, kur popujt e tjerë të Ballkanit këtë problem e kishin zgjidhur kohë më parë, si grekët, rumunët, bullgarët dhe serbët. E çeli këtë udhë për shqipen Naum Veqilharxhi, duke botuar, më 1844 dhe 1845 Ëvetarin, që luajti një rol të rëndësishëm për mësimin e gjuhës shqipe dhe u vazhdua me abetare të tjera të hartuara nga Konstandin Kristoforidhi, Daut Boriçi, Shoqërisë e Stambollit ( 1879) etj., si dhe u botuan disa gramatika për gjuhën dhe në gjuhën shqipe. Gjithashtu, më 1879 ishte miratuar alfabeti i Stambollit, ai i shoqërisë Bashkimi”, më 1899 dhe në Veri vazhdonte të përdorej alfabeti i autorëve të vjetër. Në këto rrethana kulturore u botua edhe abetarja e Zymit.
Ky ribotim i kësaj vepre hapet me një shkrim të Don Ndue Ballabanit “Abetarja, mrekullia e shtatë e Zymit”, ku shënohen shtatë mrekullitë kulturore të kësaj zone, duke përmendur autorët më me emër që kanë dalë ose kanë shërbyer në Zym.
Abetarja e Zymit prej 80 faqesh, fillon me shkronjën i dhe u të vogël, por në krye të faqes me alfabetin që është zbatuar në vepër është shënuar me dorë, Zym, 20 Mâj 1900, Prizren. Kjo faqe dhe disa faqe të tjera kanë edhe vulën e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë.
Nga faqja 22, që autori e konsideron si pjesë të dytë, ka përsëritur edhe njëherë alfabetin, por tashme duke paraqitur, përveç shkronjave të dorës të vogla dhe të mëdha, edhe shkronjat e shtypit. Në vazhdim jepen fjali të ndryshme me vlerë njohëse ose edukative. Në faqen 75 shënon përdorimin e apostrofit për shkronjat N, M, C, S, Sc, ndërsa në f. 78 ka dhënë numrat nga 1-10 edhe me fjalë. Në vazhdim në f.79-80 është paraqitur pasqyra e alfabetit e përdorur në abetare, praktikë për çdo botim kur nuk ishte i miratuar alfabeti i përbashkët i shqipes. Duke qenë se ky ishte një abetar, ishte e detyruar të ndiqej tradita e botimeve të kësaj natyre, pasi qëllimi ishte të mësonte shkrim-leximin e shkronjave të gjuhës sonë. Në faqen 81, shkruar me shkrim dore dhe me alfabetin e sotëm ka këtë shënim: Alfabeti i litografuem i Jak Specit ia fali Lumos prof. Luigj Shala që e gjet në Prizrend me 20 maj 1900. Një faqe me pas ka përsëri një shënim tjetër: M’a fali Z.Luvixh Shala (alias Bogdani) profesor i didaktikës në Institutin Femnor. E ka përdorur vetë në Prizren. Alfabeti i vjetrë i thanë ay i Jak Specit. 5.Janvier 1935.
Në fund botuesi ka përfshirë një shkrim të Frrok Kristaj “Abetarja e Zymit dhe abeceja shqipe”, si dhe jepet një listë bibliografike prej 20 titujsh.
Abetarja ka një strukturë të tillë: Përveç shkronjave, siç e theksuam më sipër, jepen fjalë të ndara në rrokje, ushtrime duke përdorur fjalë të plota, në disa raste edhe fjali me ose pa lidhje kuptimore njëra me tjetrën, por më shumë me vlerë edukative ose fjalë të urta, si: Djali i mir e nderon prinden; kush do shum, jet pa kurgja; zoti vonon, por nuk harron; mos rri kot, por puno; bora asht e bardh; shkollari mson fmit; Zefi asht nji fmi i paster.Kmishen edhe petkat e tjera i ma dlir. Ftyren e lan per dit. Gjith shtati i ban drit prej paqllekut…, T’mendoj shum-pak t’flas; T’baj mir, t’bahem i urt; Uku e ndrron qymen por vesin jo; Fol pak e mir; I lumi aj qi punon. Autori i abetares në shumë pak raste jep edhe shembuj fjalish të përbëra: Perpara se me e fillue nji pun a mir me menduem pak. Siç e kanë vërejtur edhe ata studiues që kanë shkruar për këtë abetar, disa nga këta shembuj kanë jo vetëm karakter njohës, praktik dhe edukativ,por edhe patriotik, si: Niri e do vendin ku ka le; Un jam shqyptar e flas shqyp. Shqypnija asht e dashtuna, atdheja e jon. Në këtë botim janë paraqitur edhe pak tekste të shkurtra që ilustrojnë shkronjën e dhënë.
Në abetaren e Zymit ndeshim edhe disa emra gjeografikë, si Afrikë, Evropë, Shkup dhe Prizren e Zym, por edhe Shkoder, Bun dhe Drin. Autori nuk është shtrirë më tej në gjeografinë e vendit përmes shembujve që ka dhënë, ku qëllimi nuk ka qenë të evidentojë emra gjeografikë, por ka shënuar ato emra që mendojmë se nxënësit i kanë njohur. Ky mund të jetë edhe një argument se autori i saj mund të jetë nga ato zona.
Dukuritë
gjuhësore
Po ndalemi në disa dukuri gjuhësore të abetares, me karakter fonetik.
Rreth sistemit shkrimor. Ndonëse po ta marrim të mirëqenë botimin e kësaj abetareje në vitin 1900, atëherë dihet se në atë kohë qarkullonte alfabeti i Stambollit, i cili nga fundi i shekullit XIX kishte filluar tatëpjeta e tij dhe nuk arriti të bëhej alfabeti kombëtar i shqipes. Ai u përdor vetëm në Shqipërinë e Jugut dhe nuk pati shtrirje në Veri, ku filloi të përhapej alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”, i krijuar në vitin 1899, si dhe vazhdonte të përdorej alfabeti i autorëve të vjetër, kryesisht në veri, pa përjashtuar edhe alfabete të tjera të përdorura në atë kohë e të zbatuara në revista dhe gazeta, si ai i “Albanisë”(1897-1909) i Faik Konicës, i së përkohshmes “Shqipëria” (1897-1899) që dilte në Bukuresht etj. Në këtë pështjellim të shkrimit të shqipes, shumë nga ata që kanë shkruar për këtë abetar, nuk kanë arritur të përcaktojnë përfundimisht se kujt i përket ai sistem shkrimor. Mendoj se alfabeti i abetares së Zymit të çon në gjurmët e alfabetit të Pjetër Bogdanit. Një dukuri e tillë besoj se lidhet jo thjesht në ngjashmërinë e shkronjave, që është një fakt real, por edhe nga vendlindja e Pjetër Bogdanit që ishte nga Hasi i Prizrenit dhe nga qëndrimi i tij në Prishtinë për 15 vjet ku këtu gjeti edhe vdekjen. Gjithashtu alfabeti i Bogdanit pati jehonë tek pasardhësit që e zbatuan me ndryshime të parëndësishme, si “Kuvendi i Arbënit”(1706), Gramatika e Da Leçes (1716), Doktrina kristiane (1743) e Gj. N. Kazazit dhe në fillim të krijimtarisë në përkthimet dhe në ndonjë krijim origjinal edhe te Ndre Mjeda. Dhe nuk ka sesi që, kushdo që të jetë autori kësaj abetareje, të mos jetë ndikuar nga sistemi shkrimor i P. Bogdanit, duke përmendur edhe ata zymjanë, si Sh. Gjeçovi etj, që ishin rritur me veprën e tij.
Abetarja e Zymit ka 32 shkronja, si dhe dyfishon bashkëtingëlloren n për nd (32 + 1),siç e kanë përgjithësisht autorët gegë të shek.XIX dhe së fundi alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”, por, që në sistemin alfabetik të shqipes nuk përfshihet.
Po ç’risi kemi në sistemim shkrimor të abetares së Zymit me atë të autorëve të vjetër. Nëse alfabeti i Buzukut kishte pesë shkronja të veçanta, pasardhësit i reduktuan në tri. Sistemi fonologjik i shqipes erdhi gjithnjë duke u plotësuar dhe u pakësuan variantet e shkronjave, si dhe u dallua grafikisht zanorja ë, fillimisht nga L. Matrënga dhe më pas nga Pjetër Bogdani që përdori një e me theks (è).
Autorët e vjetër u mbështetën në alfabetin latin-italian, dukuri që e ndeshim edhe te abetarja e Zymit. Bogdani përdori tri shkronja të veçanta për dh-th, y dhe z, si dhe dyshkronja greke për ll dhe k. Edhe në abetaren e Zymit kemi tri shkronja të posaçme për dh (th), (Kjo shkronjë tek të gjithë autorët e vjetër është e stilizuar, e tillë paraqitet edhe në këtë abetar), y (Te abetarja e Zymit është një 8 e mbyllur, por kur është e dorës ka edhe një vijë në kokë dhe një poshtë për t’u lidhur me shkronjat e tjera), z, si dhe një shkronjë greke për ll. Nuk dallohet grafikisht zanoren ë, e cila ose nuk pasqyrohet ose shënohet me e, si dhe me një grafemë paraqet dy tinguj-fonema, si c për ç dhe q, g për gj dhe xh, z për c dhe x. Ka tre dyshkronjësha: gh për g, gn për nj, si dhe dyfishon grafemën e posaçme dh për th. Ne në abetar ndeshim në një fjalë të vetme edhe oe: voe (f.34) dhe përsëri në një fjalë grafemën nj si në alfabetin e sotëm njeri (f.68).
THEKSI
Nuk e dimë shkallën e kulturës së autorit, por vihen re përpjekje, megjithatë shumë modeste, për të qenë sa me koherent në të shkruar, me sa më pak luhatje, ndonëse ata kanë qenë të paevitueshme.
Fjalët e theksuara në fund të fjalës nuk paraqiten me theksin e mprehtë, por me një vijë sipër, ashtu kur duam të shënojmë një zanore të gjatë, si: Liri, besni, gegni, i ri, gji, u, por edhe për të shënuar një zanore të gjatë: pik, pul, detar, niri, shpis etj.
Theksi hundor. Në abetare është përdorur mjaft dendur theksi hundor, gjithnjë para bashkëtingëlloreve hundore, si: lîni, lîqêni, qêni, çûni, dâm, âsht, grûni, plûm, hûnda, s?. Siç shihet, të gjitha zanoret, me përjashtim të ë-së paraqiten edhe të hundorizuara.
Togjet zanore. Përgjithësisht paraqiten të reduktuara, duke pasqyruar shqipen e shkruar të asaj periudhe në Veri dhe në Kosovë: dilli, milli, gruja dur, dul, muj, lujt, shkruj, fajtur, ftu, por levdue, lexue, nimue, mue, mendue, gabue, fillue etj. Siç shihet, vërehet se togu ue ka filluar të ketë shtrirje edhe në Veri.
Grupi bashkëtingëllor mb gjithnjë paraqitet i asimiluar: kama, plumi, mreti, themra, shkami, kulla, dhima, mramja. Ndërsa grupi nd, siç e theksuam, dyfishohet në abetar, si : mennue, lûnner, sundon, senn, mennim katunn, por edhe katun.
Sonorizimi. Është një dukuri tipike, ku në trajta të ndryshme, fjala shkruhet me bashkëtingëllore të zëshme, si: zog, elb, rrogtar, zheg, i madh, idhnim, blegron, larg, por baktija, hith etj.
Zanorja ë. Nuk i dallon fonemën ë nga e-ja. Veçanërisht kur është fundore ajo nuk pasqyrohet fare në shkrim, si në emrat e gjinisë femërore, por edhe mashkullore, si dhe në ndonjë pjesë tjetër të ligjeratës: pem, pul, buk, furr, kunor, djal, djath, djall, vjam, i urt, gjithmon, pes, etj. Nuk pasqyrohet ë-ja edhe në rasën emërore të shumësit të shquar: shokt, kamt, gjindt, dejt, lopt, gurt, dhambt, pemt . Është përdorur e-ja për ë në të gjitha rasat e emrave të gjinisë femërore, trajta e shquar, si: i botes, veres, babes, dimen etj.
Apostrofi. Te abetarja e Zymit apostrofi përdoret kryesisht për të shënuar rënien e zanores ë.
Kështu parafjala në përdoret me apostrof si përpara emrave që fillojnë me zanore ashtu edhe përpara atyre që fillojnë me bashkëtingëllore, si: n’udh, n’ shkoll, n’dimen etj.
Trajta e shkurtër e përemrit vetor më apostrofohet, si: m’puthi, m’lagu,m’ka fal etj.
Formanti të i lidhores, si dhe “nyja” para mbiemrave, qofshin edhe të emërzuar apostrofohet: t’lahem, t’rri, t’bahem, n’katund t’vjetër, pajtori i t’rive
C’(=ç) apostrofohet kur është përemër pyetës, por edhe si pjesëz: Ç’dit asht? Ç’mot i keq!, ç’pem e shishme!, ç’zog i bukur! etj.
S -ja apostrofohet kur përdoret si pjesëz mohimi: s’rrej, s’flas. s’rri.
Sc(=sh) apostrofohet vetëm kur përdoret në fjalën shën, si: Sh’Pjetri, Sh’ Luigji etj.
Leksiku. Në abetar ndeshim edhe disa turqizma, si : heqim, bidat, qylah, kazan, nasihat, kasap, kaçak, nasihat, dynja, kandar etj.
Shtesa. Vërehet dukuria e shteses në fillim të foljeve ose të mbiemrave që fillojnë me zanore të cilave u shtohet një h: t’hikim, heci, e heger, hagrepi etj.
Rënie. Kjo dukuri vihet re në emrat që dalin me fundoret -ur dhe në foljet e formuara prej tyre, si: Flutra flutron, lepri etj, ndërsa kur dalin me -ull u-ja nuk bie: tjegulla, sjetulla, vetulla etj.
Nën ndikimin e ligjërimit të folur nuk përdoret ë-ja paratheksore në rrokjen e parë: lkur, lmosha, msim, fmi, kmishen, ftyra etj.
Përdor termin zanore dhe perzantore për bashkëtingëllore.
***
Nga sa parashtruam më lart, vihet re se edhe në këtë botim ka filluar të ndjehet prirja e disa dukurive fonetike, që më vonë do të përgjithësohen. Do të jetë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1919) që këto evoluime të gjuhës do t’i diskutojë dhe do t’i përfshijë në Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të shkrueme (1917).
Ndonëse abetarja e Zymit është një libërth i vogël, ruan edhe sot vlerat e tij për historinë e abetareve, pasi në atë kohë, kur gjuha shqipe përdorej vetëm në ndonjë shkollë të vendit tonë, ajo duhet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj, në një fshat, siç ishte Zymi i krahinës së Hasit dhe më tej.

Abetarja e Zymit

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article