1989, si sot m’kujtohet

Sot nga një vend, në të cilin, në vitin 1989 as në ëndrrat më të çmendura nuk kisha guxu me e paramendu veten, nga Los Angeles, edhe unë e kujtoj atë datë e atë vit (dhe sidomos nga ’92 e tutje) kur njefar muze na...

2659 0

Sot nga një vend, në të cilin, në vitin 1989 as në ëndrrat më të çmendura nuk kisha guxu me e paramendu veten, nga Los Angeles, edhe unë e kujtoj atë datë e atë vit (dhe sidomos nga ’92 e tutje) kur njefar muze na fliste dhe na jepte forcë që tjetersimin mos ta pranonim.

Ndoshta s’e kisha kujtu hiq këtë ditë, ndoshta as s’e kisha hetu që në 89-ten po ndodhte diçka, dhe sigurisht që s’do t’isha prek as nga “virusi” i angazhimit publik dhe nuk e kisha njoft kurrë ndoshta ndjesinë që ta prokuron akti vetmohues në shërbim të një kauze hyjnisht të drjetë por politikisht të rrezikshme, dhe padyshim që s’do isha ky që jam sot sikur im at të mos quhej Haxhi Kraki.

Me kujtohet si sot kur Baca im (dhe shume baca te tjere gjithandej nëpër Kosovë) vraponte pas një gjëje që pak kush e kuptonte e shumë kush e druante. Ishte fillimi i organizimit politik i Shqiptarëve në Kosovë, fillimi i LDK-se. N’atë kohë, të vetmen veturë që e kishte Baca si aktivist ishin këmbët dhe shputat e tij, që shpesh, shumë shpesh i kryenin punë që mos të përballej me “gabelin”*- nofka e një polici injorant që uniforma e bënte gjeni – me “marrjen në pyetje” të tij dhe zagarëve tjerë që e ndihmonin në gjah.

Më kujtohet si sot kur organizoheshin mbledhje e aktivitete klandestine (sidomos me Kadri Shalën), e dikush duhej t’i mbante sy e vesh hapur në rast se “Niva” e milicisë papritmas shfaqej. Më kujtohet si sot pamja tmerruese kur milicia vinin në shtëpi, por s’besoj që më kujtohet sa herë kanë ardhë; ndoshta çdo ditë, ndoshta çdo javë, ndoshta çdo muaj, sepse, edhe ashtu, pamja e tyre si fantazmë rrinte e printuar në derën e oborrit. Për ta shematizu këtë realitet, një kojshi patë thënë “NIVA (kerri i milicise) pa dur me e lshu vjen n’mahalle tonen”.

Më kujtohet kur organizoheshin zgjedhje në vitin 1992, dhe kur njerëzit më thirrnin “djali i deputetit”. Nuk më kujtohet nëse e dija domethënien e kësaj fjale n’atë kohë, sigurisht që jo, por më kujtohet shumë mirë që ajo fjalë kishte kuptim, më bënte krenar. Krenar, jo që Baca im ishte deputet në kuptimin e sotëm të fjalës, por krenar sepse Baca im ishte pjesë e ndryshimit të madh, ishte në prag të historisë dhe po përgatitej, bashkë me shumë vetmohues tjerë, të hynte në të.
Më kujtohet si sot kur këmbët e palodhura të tij përshkonin labirinthe të përditshme në shtëpi e oda, me ditar në dorë, vetëm që tjetërsimi mos të jetësohej, që vetëdija kombëtare dhe vullneti i hekurt të mos zbuteshin. Më kujtohet si sot edhe Ora letrare (1995) që e organizoi me shumë të rinj nga Juniku e rrethina. Ishte i vetmi aktivitet kulturor, në kuptimin e mirëfillt të fjalës, që po ndodhte përballe presionit rutinor të “gabelit”. Më kujtohet se si n’atë Orë letrare u tha e recitu krejt çka nuk duhej thënë e recitu n’atë kohë, por Baca nuk ndalej, angazhimi vazhdonte.

Më kujtohet si sot kur, në një realitet syrrealist, dhe në vijën e angazhimit për të tjerët, Baca (me shokë) e sollën paralelen e shkollës së mesme të mjekësisë nga Gjakova në Junik. Me dhjetra të rinj e sidomos vajza, deri atëherë të destinuara për izolim, u regjistruan dhe ende sot i korrim frutet e shkollimit të tyre. Disa janë bërë mjekë e disa infermierë, në shërbim të të tjerëve, edhe ata.

Si sot më kujtohen edhe shumë gjëra tjera me te cilat jam rritë e jam ndërtu, dhe të cilat më bëjnë (mua dhe familjen) të krenohem, duke e rujt modestinë që kjo punë e kërkon. Do ta kem rastin të shkruaj më gjatë dhe (ndoshta) më mirë për atë periudhë të ngjizjes së ndjenës më të çmueshme që njeriun e mban njeri – e që është vetmohimi.

Sot, kur e kujtoj atë kohë, kur e kujtoj angazhimin e Baces, që e kam pasë dhe e kam baba, profesor dhe shok, vazhdoj të jem i bindur që fuqia e një akti vetmohues është më e madhe se forca që përdoret për mohimin e atij akti.
Sot në kohën e mohuesve, vlera e atij fillimi sikur është harruar, madje edhe nga pasardhësit e rastësishëm te asaj fryme, të cilët veç vetmohues nuk janë.

Sot Bacë të falenderoj për atë që jam.
23.12.2014, Los Angeles, USA
*fjala “gabel” ne kete tekst nuk ka konotacion racist.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article