Lëkura është pasqyrë e shëndetit. Ushqimi i mirë, fjetja e mjaftueshme, reduktimi i stresit, hidratimi i vazhdueshëm i lëkurës, mbrojtja e lëkurës nga rrezatimi diellor janë faktorë për të pasur një lëkurë të shëndetshme.
Dr. Albana Lufi
Dermatologe
Jo gjithmonë është e lehtë të përcaktosh tipin e saj, nëse është e yndyrshme, mikse apo e thatë, sepse fiziologjia e lëkurës së fytyrës ndryshon me kalimin e kohës. Këtu ndikojnë mosha, mjedisi, temperatura, duhani, hormonet seksuale …
Lëkura normale duhet të hidratohet çdo ditë, të mbrohet nga papastërtitë dhe nga dielli. Pra, pastrojeni fytyrën në mëngjes dhe në darkë (mos flini kurrë pa hequr makijazhin) dhe vini një krem hidrant të lehtë. Lëkura e thatë është ajo që haset më shpesh dhe që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm.
PSE KEMI LËKURË TË THATË? Nga mungesa e ujit në lëkurë; veprimi i faktorëve të jashtëm si: nxehtësia, i ftohti, larjet e fytyrës me sapun; kontaktet e përsëritura me ujin; pakësimi i sekreti mit të yndyrës; lëkura mund të jetë e thatë gjenetikisht, si në disa sëmundje, ekzema atopike, iktiosis; zgjedhja jo e saktë e produkteve kozmetike.
Kujdesi për lëkurën e thatë: Shmangni larjet me sapun agresiv dhe përdorimin e solucioneve me alkool; fytyra të lahet me qumësht pastrues; shpëlajeni qumështin me ujë, përdorni dy herë në ditë një krem hidratant
LËKURA MIKSE: Paraqet probleme në zgjedhjen e preparateve kozmetike.
LËKURA E YNDYRSHME: Është e prirë për të formuar akne (puçrra) dhe pika të zeza. Format e paraqitjes së akneve variojnë nga më të lehtat (grada e parë), format e mesme (grada e dytë) dhe format e rënda. Kjo lëkurë plaket më ngadalë dhe e toleron më mirë diellin. Por edhe lëkurat e yndyrshme mund të jenë të dehidratuara (që kanë mungesë uji).
Kujdesi për lëkurën e yndyrshme: Evitoni tonikët me alkool; kremrat shumë të yndyrshëm; kremrat pudër, pasi shtojnë pikat e zeza; Pastroni lëkurën me sapun të butë dhe losion për lëkura të yndyrshme; përdorni maska për lëkurë të yndyrshme dy-tre herë në javë.
LËKURAT E DEHIDRATUARA: Kanë mungesa uji, por të gjitha tipet e lëkurës, normale, e thatë ose e yndyrshme, mund të jenë për momentin të dehidratuara. Lëkura e dehidratuar është e përkohshme. Dielli, era, i ftohti, lodhja ose stresi, trajtimet shumë agresive ndikojnë në dehidratimin e lëkurës. Lëkura duhet të rihidratohet shpejt me produkte të përshtatshme që sjellin ujin nga njëra anë dhe pengojnë largimin e tij nga ana tjetër. Kur qelizat e lëkurës nuk janë plotësisht të hidratuara, ato nuk mund të funksionojnë mirë dhe shkaktojnë dëmtime të indeve dhe plakje të lëkurës. Hidratimi është mjaft i rëndësishëm për të pasur lëkurë të shëndetshme.
Kujdesi për lëkurat e ndjeshme ose delikate
• Përdorni produkte për lëkura delikate, losion pastrues pa shpëlarje ose sprej me ujëra termale, kremra hidratantë të lehtë.
• Thajeni mirë fytyrën, duke e tamponuar mirë me një shami letre dhe jo me pambuk.
• Në ambientet e punës, me ajër të kondicionuar ose ajër të nxehtë, rekomandohet përdorimi i kremrave hidratantë disa herë në ditë.
• Në qoftë se përdorimi i një produkti shkakton skuqje apo pickim, ndërpriteni menjëherë.
Kujdes: nga dielli i fortë, era, konsumimi i alkoolit, duhanit dhe kequshqyerja! Pini të paktën 8 gota ujë çdo ditë dhe hidratojeni vazhdimisht lëkurën me kremin e përshtatshëm.
KËSHILLA: Në vend që ta zgjidhni vetë kremin për fytyrën, është mirë të kërkoni këshillën e një dermatologu, i cili do t’ju ndihmojë të merrni produktin që ka vërtet nevojë lëkura juaj. Përpara zgjedhjes, mjeku duhet të bëjë testimin e plotë të lëkurës. Pas kësaj, ai ju jep informacionin përkatës për gjendjen e lëkurës dhe konkretisht, për shkallën e hidratimit, yndyrës, Ph dhe elasticitetin, si dhe për kremin e duhur që i nevojitet lëkurës suaj.