Pas katër ndeshjeve pa fitore, Interi e ka mposhtur Bolognan në Stadio Renato Dall’Ara me rezultat 1-0.
Mysafirët patën posedimin në fraksionin e parë, mirëpo nikoqirët u mbrojtën mirë. Njëherësh ata rrezikuan për të shënuar, porse kur shkuan në pushim, rezultati ishte i paprekur.
Në gjysmën e dytë, Felipe Melo mori dy kartonë të verdhë brenda pak minutash dhe u përjashtua nga loja (60’).
U besua se inferioriteti numerik do t’i shkaktonte telashe ekipit të Roberto Mancinit, por largimi i brazilianit i shërbeu për të mirë. Nerazzurrët arritën te goli i avantazhit.
Adem Ljajic shfrytëzoi mbrojtjen jo të mirë të vendasve dhe nuk u tregua egoist, por krijoi rast për Mauro Icardin, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte (67’).
Deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit, skuadra mysafire arriti ta mbrojë rezultatin dhe të arkëtojë pikë të plota.
Interi është në krye të tabelës me një pikë më shumë se Roma që të mërkurën luan kundër Udineses.