Përmirësimi më i fundit nga kompania Google e bën më të thjeshtë për dashamirësit e muzikës gjetjen e teksteve të këngëve të tyre të preferuara.
Tashmë nuk është më e nevojshme të klikosh mbi shumë linke të cilat të adresonin drejt uebfaqeve që përpiqeshin t’ju shisnin këngë, pasi kompania i ka gjetur zgjidhjen edhe kësaj gjëje.
Tashmë tekstet e këngëve që kërkoni do të listohen në krye të rezultateve të kërkimeve tuaja. Kjo karakteristikë e re punon në të njëjtën mënyrë si parashikimi i motit, rezultatet e ndeshjeve sportive, kohët e fluturimeve dhe shumë opsione të tjera që Google ofron.
Mjafton të shtypni titullin e këngës që jeni të interesuar, shoqërojeni atë me fjalën ‘lyrics’ dhe rezultati i parë në listën e rezultateve do të listohet pikërisht teksti. Momentalisht kjo gjë funksionon në Amerikë dhe duhet edhe fare pak kohë që të përhapet në mbarë botën. Kjo lëvizje e re nga Google do të shkaktojë largimin e vizitorëve nga faqet si azlyrics.com dhe songlyrics.com të cilat figurojnë si dy faqet më të kërkuara në Google kur bëhet fjalë për kërkim tekste këngësh.