Gazetarët, këta tregtarë?

Gazetaria sensacionale ka pushtuar sot numrin më të madh të radios, televizionit dhe gazetës shqiptare. Zhurmës, tensionit e britmave në politikën shqiptare në masë të madhe u ka kontribuar industria e “mediave masive”. Për konsumuesin shqiptar është mëse e tejdukshme, se monologjet fyese në mediat...

1284 0

Gazetaria sensacionale ka pushtuar sot numrin më të madh të radios, televizionit dhe gazetës shqiptare. Zhurmës, tensionit e britmave në politikën shqiptare në masë të madhe u ka kontribuar industria e “mediave masive”.

Për konsumuesin shqiptar është mëse e tejdukshme, se monologjet fyese në mediat shqipe, bazohen mbi modele të gazetarisë autoritare. Ata që kanë forcën dhe fuqinë në shtet për momentin i japin “privilegje e përparësi të pakufizuar” personave privatë e bordeve e shoqatave “të pavarura” mediale.

Në këtë etapë politike e të papërvojë, mediat tona do të duhej të ishin një forum për mirëkuptim të dyanshëm. Gazetaria e tillë do të kuronte shoqërinë tonë të stërlodhur nga tensionet e panevojshme partiake. Ajo do të krijonte një ambient të dominuar nga një mirëkuptim i ndërsjellët. Mund të kemi mendime të kundërta, madje duhet t’i kemi, por s’kemi nevojë ta shtyjmë njëri-tjetrin jashtë kufijve etikë – meqë atje, jashtë atyre kufijve, fitues s’ka!

Etika mediale nënkupton gjithashtu, që gazetarët dhe gazetaret, enkas sot, duhet të rrezatojnë kujdes e lojalitet ndaj njëri-tjetrit. Ashtu sikundër detyra e mjekut është që të parandalojë sëmundjen e rëndë e të shërojë të sëmurin, po ashtu gazetarët – dhe gazetaret! – e kanë obligim e përgjegjësi që të transmetojnë informacione objektive dhe të krijojnë një siguri të lartë besimi e mirëqenie informative në hapësirën ku ata veprojnë.
Si ekziston një etikë mjekësore, ashtu ekziston edhe një etikë gazetareske. Shmangiet nga kjo etikë, moszbatimi i ndërgjegjshëm i profesionit, në mjekësi shkaktojnë vdekjen e pacientit. Në rastin e mediave (gazetarëve), viktima e parë e lajthitjeve profesionale bëhet e vërteta; e, sikur na mëson historia, herët a vonë vjen koha të viktimizohet edhe vetë media – (gazetari).

Gjuha e egër e transportuar dhe e lançuar nga disa media, para publikut shqiptar zgjon ca pyetje enigmë. Ç’synon media ilire; të raportojë për realitetin, apo ta regjisojë atë? A është duke kontribuar media jonë që të krijohen raporte të mira, shoqërore e miqësore ndërmjet atyre që kanë pikëpamje të ndryshme mbi veprimtarinë politike, opsione e mendime të ndryshme ndaj zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare? Dhe, ndoshta është koha të shtrohen edhe pyetje të tilla: A është kjo, apo ndoshta s’është fare, detyrë e gazetarit?

Në zemër të problemit qëndron një pyetje delikate. A është edhe gazetari banor i kësaj shoqërie, me përgjegjësi etike e morale për mirëqenien e saj, apo Ufo nga ndonjë planet tjetër, që na nderon me praninë e vet vetëm e vetëm për një shkak: për të bërë biznes?

Në shoqërinë tonë, përgjigjja në këtë pyetje sot duhet që anon kah nga kjo e dyta. E në Perëndim, roli vital shoqëror i gazetarëve spikatet në termin sociologjik për mediat: “pushteti i katërt”, pas qeverisë, gjyqësisë, dhe organeve përmbaruese.
A është duke u larguar (vetëdijshëm) përmbajtja informative që do të kishte rëndësi për të kapur e kuptuar proceset politike, ekonomike e kulturore shqiptare? Apo, “përkthyer” në gjuhën shqipe, mos është bërë qëllimi i pangopshëm komercial vendimtar se çfarë e si do të konsiderojnë mediat si lajm (partiak) parazgjedhor, e çfarë jo?
Dhe, për të qenë konsekuent gjer në fund: Mos janë duke dëmtuar, “ftohur” a “varrosur” industrialistët dhe industrialistet mediale shqiptare vetitë dhe dhuntitë njerëzore për bisedime e komunikime “sy ndër sy” e “gju në gju”? A mos është vallë kjo, industria më e madhe që po “tymon” sot në hapsirat shiptare, ajo që po i bën njerëzit të largohen nga njëri-tjetri e të mos angazhohen në dhënien e ndihmës?

Rreth kësaj duhet ta kruajmë kokën mirë, aq më tepër sot, në fund të vitit 2014. Sepse, nëse mediat “tona” vijojnë si deri tani, ato jo vetëm që destabilizojnë politikën në përgjithësi, por përbëjnë edhe rrezik kronik për shëndetin mental të njeriut shqiptar në vitin e ri 2015.

Ketu mund te Komentoni!

komente

In this article