Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi mendon se të përzgjedhurit e tij duhet të përfitojnë sa më shumë eksperiencë në dy miqësoret e radhës.
Shqipëria të premten mbrëma në Rennes do të sprovojë forcat me Francën në një ndeshje miqësore, ndërsa katër ditë më vonë kuqezinjtë në Genoa do të ndeshen me Italinë.
Tekniku italian në konferencën për shtyp të mbajtur sot, ka kërkuar nga skuadra e tij të luajë e bashkuar për të fituar sa më shumë në këto dy sfida.
“Duhet të fitojmë sa më shumë eksperiencë pasi luajmë ndaj dy skuadrave të forta. Kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli ka shumë rëndësi paraqitja. Do të kërkojmë të mos pësojmë gola dhe të shfaqemi në fushë siç kemi bërë ndeshjet e fundit. Kam disa mungesa të rëndësishme si Xhaka e Kaçe prandaj nuk kam marrë një vendim për formacionin”, ka thënë De Biasi.
Ai ka folur edhe për mosgrumbullimin e Alban Mehës. De Biasi mendon se mesfushori shqiptar i Paderbornit akoma nuk është në formën e tij më të mirë.
“Kur kanë kaluar 11 ndeshje nga kampionati Gjerman, Meha nuk ka luajtur në 5 të parat, ndërsa në të gjashtën u aktivizua vetëm 12 minuta. Kur e grumbullova për Danimarkën dhe Serbinë e kuptova që nuk ishte në kondicionin e duhur fizik. Tani po luan në vazhdimësi dhe ka shënuar një gol por nuk besoj se është në gjendje të mirë me vetëm 150 minuta aktivizim. Meqë këto janë dy miqësore mendova për të mirën e klubit, lojtarit dhe kombëtares por dikush te Paderborn është ankuar. Gjithsesi ky është problemi i tyre”, tha ai.
De Biasi kërkon nga skuadra e tij maksimumin në duel me Francën dhe Italinë, madje ai e mendon edhe fitoren.
“Në këto dy sfida nuk do të shkojmë për shëtitje. Ne do të kërkojmë të mos humbasim, madje po të na jepet mundësia do të kërkojmë edhe fitore”, theksoi De Biasi.
Edhe kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana kërkon nga skuadra e tij maksimumin në duel me ‘gjelat’. Ai zbulon edhe një detaj interesant të vitit 2006, edhe pse 3 vjet më parë kishte zgjedhur të përfaqësonte Shqipërinë. Ai mendon se pas tij shiritin e kapitenit duhet ta marr Mërgim Mavraj.
“Të përfaqësoj Shqipërinë në Francë është një gjë e veçantë për mua. Në vitin 2006 Raymond Domenech më tha që nëse do të luaja për Francën do të kisha shkuar në botëror por unë nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë”, tha Cana.
“Do të luaj sa të kem mundësi fizikisht. Besoj se pas meje shiritin e kapitenit do ta marrë Mërgim Mavraj pasi ai është një lider në fushën e lojës”, ka shtuar Cana, i cili beson se Shqipëria do të jetë paraqitje të mirë kundër Francës.